Baruti, Delijorgji përfitoi leje-eksporti pas Gërdecit
Trazhgim Sokolaj
Ministria e Mbrojtjes ka firmosur dhjetëra leje eksporti për kompaninë e Mihal Delijorgjit, me qëllim nxjerrjen jashtë Shqipërisë të sasisë së barutit që dilte nga demontimi i municioneve luftarake në Gërdec. Lejet e eksportit janë dhënë përmes një procedure, e cila fillonte me propozimin nga ndërmarrja MEICO dhe më pas me miratimin e lejes së ekspertit nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Leja e fundit e dhënë në 7 qershor 2007 e firmosur nga Ardian Mullahi, ish-sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes, është e vlefshme deri më 30 qershor 2008. Pra kompania “Albademil” ka pasur leje eksporti për barut edhe tre muaj pas tragjedisë së Gërdecit. Në dosjen me dokumentet e sekuestruara prej Prokurorisë gjatë hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, ndodhen dhjetëra leje eksporti të dhëna me firmën e Ardian Mullahit, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes dhe tanimë i pandehur në dosjen “Gërdeci” për akuzën shpërdorim detyre. Ajo çka bie në sy në praktikën e dhënies së lejeve të importit për barutin e dalë nga demontimi në Gërdec, është se Ministria e Mbrojtjes ka qenë në dijeni për sasinë e madhe që grumbullohej në ish-repartin ushtarak, ku Mihal Delijorgji kishte ngritur fabrikën e demontimit. Në një prej kërkesave të ndërmarrjes MEICO, firmosur nga ish-drejtori Ylli Pinari, i pandehur dhe i arrestuar për ngjarjen e Gërdecit, thuhet se “firma ‘Southern Ammounition’ e përfaqësuar nga Patrick Henry, në kuadër të veprimtarisë së saj në Shqipëri, ka krijuar një firmë të regjistruar në organet tatimore shqiptare me emrin ‘Albademil’ (bëhet fjalë për firmën ku në fakt Mihal Delijorgji ishte pronar maxhoritar), subjekt që do të kryejë drejtpërdrejt veprimet e eksportit të sasisë së këtij baruti. Si rezultat i vijimit të punës me ritme të larta, në procesin e demontimit industrial, është krijuar në këtë rajon një sasi e konsiderueshme e barutit, që për kushtet e ruajtjes do të ishte mirë të fillonte eksporti i tij. Për sa më sipër, lutemi na pajisni me leje-eksporti në emër të firmës ‘Albademil’ për 700.000 mijë kg barut të përfituar nga demontimi i municioneve”. Shkresa në fjalë, e cila është përsëritur me dhjetëra herë nga ndërmarrja MEICO për Ministrinë e Mbrojtjes, sa herë është kërkuar leje eksporti, përmban dy elementë që i kanë dhënë formën e provës penale. Elementi i parë është se kompania “Albademil” ishte në fakt subjekti që kryente punët në Gërdec, edhe pse në kontrata ishte pasqyruar kompania amerikane SAC. Ndërsa elementi i dytë është se në secilin aplikim që është përsëritur dy herë në muaj, Ministria e Mbrojtjes dhe vetë ndërmarrja MEICO informoheshin për sasinë e barutit të grumbulluar në Gërdec, rreth 700 mijë tonë në çdo 15 ditë. Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se ngarkesat me barut të dalë nga demontimi i fishekëve dhe më pas i predhave të artilerisë së rëndë, dërgoheshin në Durrës dhe më pas niseshin për jashtë vendit me anije. Destinacioni i barutit mësohet se ka qenë Belgjika, ku mbetjet e dala nga Gërdeci shiteshin si lëndë që do përdorej për prodhimin e eksplozivit. Ndërkaq kokat e fishekëve dërgoheshin po me anije në Itali, ndërsa kokat e predhave dërgoheshin për demontim të mëtejshëm në kombinatin shtetëror të Gramshit. Më 15 mars 2008, kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, rreth 750 tonë barut ishte grumbulluar pranë fabrikës së demontimit. Grumbullimi i barutit që ishte lejuar nga ndërmarrja MEICO, erdhi pas mosmarrëveshjeve mes bashkëpronarëve të Gërdecit, amerikani i firmës SAC, Patrick Henry dhe Mihal Delijorgji, pronar i “Albademil”.
Bashkia: Gërdeci ishte ndërtim pa leje
TIRANE – Bashkia e Vorës në administrimin e të cilës ndodhet edhe zona e Gërdecit, i ka konfirmuar Prokurorisë së Përgjithshme se ndërtimi i fabrikës së demontimit ka qenë pa lejen e autoriteteve të pushtetit lokal. Në shkresën e datës 11 nëntor 2008 të kabinetit të kryetarit të Bashkisë Vorë, thuhet se “mga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes MEICO, shoqërisë ‘Southern Ammunitin Company Inc’ dhe shoqërisë ‘Albademil’ nuk është paraqitur asnjë kërkesë për leje ndërtimi objekti, leje mjedisore dhe leje për Mbrojtjen Kundra Zjarrit pranë Sektorit të Urbanistikës dhe Mjedisit në bashkinë Vorë”. Shkresa në fjalë, e cila i është dërguar Prokurorisë është firmosur nga Fiqiri Ismaili.
MEICO kontratë për Gërdecin me firmën e bllokuar në SHBA
TIRANE – Dokumentet e sekuestruara nga Prokuroria gjatë hetimit për tragjedinë e Gërdecit, zbardhin edhe një tjetër skandal të ndërmarrjes MEICO, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky dikaster ka nënshkruar kontratë demontimi për predhat në Gërdec, me kompaninë SAC, në një kohë kur ky subjekt ishte bllokuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokumenti i Zyrës së Sekretarit të Shtetit në Karolinën e Jugut në SHBA, ku ndodhet selia e kompanisë SAC, i ka sjellë Prokurorisë shqiptare dokumentet me të dhënat zyrtare lidhur me firmën e Patrick Henry, ortak i Mihal Delijorgjit në Tiranë. Sektori i Regjistrimit të Bizneseve në SHBA bën me dije se më 20 mars 2007, pra rreth një vit para se të ndodhte Gërdeci, kompania “Southern Ammounition” ishte e bllokuar. Në dokumentet e ardhura nga SHBA, ku shpjegohet statusi i kompanisë SAC, thuhet se ajo është në gjendjen: E konfiskuar/me humbje. Pavarësisht se më 20 mars 2007, kompania amerikane SAC rezultonte e bllokuar në SHBA, ajo nuk ka pasur asnjë pengesë të bënte biznes fitimprurës në Shqipëri. Nëse në kontratën e parë, të nënshkruar në 2006 me MEICO-n për fishekët, kompania SAC nuk ishte bllokuar, është e qartë se ky subjekt ishte i bllokuar në SHBA më 28 dhjetor 2007, kur nënshkroi në Tiranë kontratën e dytë për demontimin e predhave në Gërdec. Në kohën kur është nënshkruar kjo kontratë mes kompanisë SAC dhe ndërmarrjes MEICO, zyrtarët e kësaj të fundit ishin të ngarkuar të verifikonin kontraktuesin, i cili ishte bllokuar që në marsin e vitit 2007, pra 9 muaj para se të fitonte të drejtën e çmontimit të predhave të artilerisë shqiptare. tr.so
Sekretet e Gërdecit, Ina Rama nis hetimin
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje sa ka filluar hetimet pas publikimit në media të dokumenteve të dosjes “Gërdeci”. Me një urdhër të prokurorit të Tiranës, Genti Xholi, një grup i gjerë hetimi ka nisur dje verifikimet për personat që kanë shpërndarë materialet e dosjes “Gërdeci”, duke mundësuar publikimin e tyre në median e shkruar. “Ditët e fundit në media janë publikuar disa akte të procedimit penal nr. 3 të vitit 2008. Dhënia e këtyre materialeve mediave, nga persona të cilët kanë tashmë detyrimin ligjor për të mos i publikuar, jo vetëm dëmton zhvillimin e procesit të rregullt ligjor në gjykimin e kësaj çështje, por në dokumente ka akte që janë sekrete, e që përhapja e tyre përbën vepër penale”, tha Prokuroria. Sipas saj, hetimi po zhvillohet për veprën penale të “zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete”.