Zhduket gruaja, i shoqi dhe djali ndihmë policisë
ELBASAN - Shkon për të lyer flokët tek parukierja, zhduket në rrethana misterioze 36-vjeçarja. Policia e Elbasanit bëri të ditur se prej pesë ditësh rezulton e zhdukur Luljeta Ruda nga fshati Shushicë. Sipas dëshmisë së familjarëve të saj, ajo ka dalë nga shtëpia që më 9 maj dhe më pas nuk kanë asnjë dijeni për vendndodhjen e saj. Në sajë të hetimeve paraprake dhe dëshmisë së të afërmve rezulton, se Ruda bashkë me djalin e saj 15 vjeç si dhe bashkëshortin kanë zbritur nga fshati i tyre në qytetin e Elbasanit. Gruaja i kishte kërkuar të shoqit të shkonin në qytet e të lyente flokët, pasi në fundjavë kishin një dasmë. Kur 36-vjeçarja Ruda ka hyrë në parukerinë, që ndodhet pranë markatës kryesore të qytetit, bashkëshorti bashkë me djalin e kanë pritur atë në një bar aty pranë. Pasi kanë kaluar afro dy orë babë e bir janë merakosur dhe kanë hyrë brenda në parukeri. Kur kanë vënë re mungesën e saj ata pyetën parukieren, por ajo iu tregoi se klientja e saj ishte larguar. Pasi e kërkuan edhe në zonën përreth dyqanit, ata janë detyruar të nisen në shtëpi me shpresën se do ta gjenin atje. Policia bëri të ditur se sipas të afërmve, prej rreth katër muajsh ajo po kalonte momente të vështira në familje, por nuk bëhen të ditura shkaqet. Dje policia e shënoi emrin e 36-vjeçares në listën e personave të zhdukur, ndërsa burimet pohuan se janë duke hetuar vendosjen e mundshme të saj. a.k