Pllakat e gurit vrasin 2 punëtorë
BERAT/ DILAVER XHELILI
Vdesin tragjikisht dy punëtorë, ndërsa ishin duke punuar në minierat e pllakave të gurit në malin e Tomorrit. Një masiv pllakash dekorative u shembën, duke zënë poshtë tyre dy viktimat.
Jani Barjami, 31 vjeç dhe Lili Tumani 50 vjeç, ndërruan jetë gjatë rrugës në spital. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në afërsi të fshatit Novaj, kur pesë punëtorë të ardhur nga zonat përreth Tomorrit kishin nisur punën për nxjerrjen e gurëve dekorative. Por pas disa minutave, një masiv pllakash të cilat vetë punëtorët i kishin vendosur në vendin ku ata punonin në formë piramide u shkëput, duke zënë poshtë saj Barjamin dhe Tumanin. Personat e tjerë që janë ndodhur në vendngjarje nxituan për t'i ndihmuar, por shkëputja e masivit ishte fatale. Disa prej pllakave të gurit ishin të mprehta, çka iu kishte dëmtuar atyre rëndë trupin, deri në shkëputje të gjymtyrëve apo pjesë të tjera. Mësohet se 31-vjeçari Barjami ishte babai i një fëmije dhe vinte çdo ditë për të punuar në pllajën e Tomorrit që nga fshati Lumas. Ndërsa viktima tjetër Tumani ishte nga qyteti i Urës Vajgurore.
Policia e Beratit mbërriti pas sinjalizimit në vendin e ngjarjes dhe kreu veprimet e duhura procedurale, si dhe mori në pyetje punëtorët që i shpëtuan kësaj tragjedie. Gjatë hetimit të kryer u konstatua se ata punonin në të zezë. Ata ishin mbledhur nga 36-vjeçari Gëzim Qato për të punuar për bukën e gojës pasi nuk kishin të ardhura të tjera. Pas hetimeve të kryera, policia arrestoi Qaton, banor i Poliçanit për mungesën e kushteve teknike gjatë punës. Sipas dëshmisë së punëtorëve, dy shokët e tyre ishin futur në thellësi për të nxjerrë nga andej pllakat. Gjatë punës ata kanë vënë re se po shkëputej masivi, që e kishin vendosur afër vendit ku i nxirrnin vetë gurët. Kjo bëhej me qëllim që ata të mos bënin dy herë punë, por t'i merrte mjeti i tonazhit të rëndë direkt në vend. Viktimat kanë nuhatur rrezikun dhe kanë tentuar të dalin me shpejtësi nga vendi ku ndodheshin, por shembja e pllakave rezultoi fatale. Shokët e tyre u munduan t'u japin ndihmën e parë. Ata arritën t'u heqin gurët që i kishin zënë poshtë dhe me shpejtësi, me një makinë me të cilën ata shkonin çdo ditë në punë i nisën drejt spitalit të Beratit. Pamja ishte rrëqethëse, pasi gurët e mprehtë iu kishin prerë atyre pjesë të ndryshme të trupit. Por tentativa për t'i çuar të gjallë në spital rezultoi e kotë, pasi viktimat kishin ndërruar jetë gjatë rrugës. Sipas burimeve spitalore, humbja e madhe e sasisë së gjakut dhe dëmtimet e tjera në pjesët e trupit ka bërë që ata të vdesin gjatë rrugës. Minierat e gurëve dekorative në këto zona janë kthyer tashmë në një fenomen mjaft problematik, ndërkohë që askush nuk po merr masa për të evituar ngjarje të tilla të rënda. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për këtë ngjarje.