E Diel, 1 Nëntor 2026

Vret pa dashje 16-vjeçarin ndërsa kullosnin bagëtinë

 

PEQIN - Luajnë me çiften dy barinjtë, gjen vdekjen 16 – vjeçari. Ngjarja ndodhi dje pasdite rreth orës 17:00 në fshatin Drangaj të komunës Përparim në rrethin e Peqinit. Sipas policisë, K.D., 15 vjeç ka marrë armën në shtëpi për t’ia treguar shokut të tij, një vit më të madh në moshë. Ata ishin shokë me njëri-tjetrin dhe kullosnin bagëtitë në periferi të fshatit të tyre. Adoleshentët ishin duke luajtur me armën, kur papritur ajo është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme duke vrarë S.H. Megjithë përpjekjet e shokut të tij për t’i dhënë ndihmën e parë, saçmat e çiftes i kanë marrë jetën adoleshentit. Pas ngjarjes, 15 - vjeçari ka dhënë alarmin në fshatin e tij, ndërsa në vend mbërriti edhe policia. Sipas burimeve të policisë, në sajë edhe të veprimeve të para hetimore, rezultoi se ngjarja është aksidentale. Në vendin e ngjarjes është bllokuar arma e llojit çifte dhe është shoqëruar 15-vjeçari në komisariatin e policisë Peqin. Policia deklaroi si pistë zyrtare atë të vrasjes nga pakujdesia. K.D pritet të merret në pyetje shumë shpejt, pasi aktualisht ka kaluar një tronditje të thellë. Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, policia e kishte të pamundur dje për ta marrë në pyetje e për të rrëfyer rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.                    a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›