E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të shpresosh më në Shqipëri?!

Irena Kalimani/juriste 

-“Shkrimtari ka për detyrë të çojë në përjetësi njeriun e vetmuar dhe vdekatar dhe rastësinë ta shndërrojë në ligj. Atëherë misioni i tij është profetik” Kështu është shprehur Franz Kafka. Në çdo epokë kultura dhe arti kanë qenë pararendës të zhvillimeve të mëdha shoqërore. Arti ka një aftësi të pashoqe në grumbullimin e njerëzve përreth vetes, pikërisht sepse ai prek zemrat e çdonjërit prej nesh. Revolucionet e mëdha evropiane janë paraprirë nga iluministët e mëdhenj; është thënë madje se “ne [rusët] kemi 2 carë- Tolstoin dhe Nikollën II”. Secili nga ne mund të thotë se njeh Shakespeare, por jo kë sundonte në atë kohë  Britaninë  e Madhe. Kënga e famshme “Wind of Change” është kompozuar përpara rënies së Murit të Berlinit. Shembuj ka pafund, por pyetja që më lind është shumë e thjeshtë: Çfarë marrëdhënie kemi ne shqiptarët me artin dhe me ata që pa frikë mund të quhen liderët shpirtërore të një shoqërie? Pra artistët? Po matem ta shkruaj, por mendoj se ne jemi një popull shumë dritëshkurtër; ne jemi mbase populli  me më shumë rezerva ndaj deri më tani të vetmit laureat tonit për çmimin Nobël për letërsinë. Kështu, pa kuptuar ne ngremë lart antivlerën, ndoshta ashtu si pa të keq, sepse dritëshkurtësia jonë nuk na lë ta kuptojmë se çfarë po bëjmë. Kalojmë në anën e kundërt, në momentin kur një artist shqiptar (më pak impenjativ se i lartpërmenduri) merr famë diku gjetkë. Në atë moment ne marrim flatra. Kini parasysh vetëm se sa shpesh ndeshim emrin e Nënë Terezës; mbase jemi vendi i vetëm në botë qe kemi aeroportin  e vetëm civil adash me Qendrën Spitalore të kryeqytetit. Këtë edhe e kuptoj. Duke qenë një popull i vogël krenohemi  me këta njerëz të zotë që na japin famë në katër anët e botës. Gjithsesi, nuk do të doja të isha në vendin e tyre; kur ata kthehen për pak ditë në atdhe, intervista pa fund kamera që i  ndjekin kudo. Ftohen në të gjithë televizionet dhe emisionet. Madje ndonjëherë role në të cilat ata nuk ndihen aspak në rrobat e tyre. Ndoshta artistëve iu pëlqen kjo, por mendoj se herët a vonë publiku lodhet dhe në një farë mënyre velet me ta, ose të paktën kërshëria nuk është më e njëjta. Ndoshta kjo është një nga rregullat më të pakundërshtueshme të botës së artit: duhet të jesh në qendër te vëmendjes, mirë apo keq. Mjafton që të flitet. Për personazhet e njohur shqiptarë me famë ndërkombëtare, kjo gjithkund-ndodhja zgjat ato pak ditë që ata shpenzojnë në Shqipëri , pastaj ata bëjnë valixhet dhe ikin. Vazhdojnë  karrierat e tyre gjetkë, në vende ku gjithsesi mbeten sadopak të huaj, pjesëmarrës nëpër spektakle ku ndoshta dhe emri iu “shtrembërohet” për shkak të gjuhës së huaj në të cilën prezantohen. Ndërkohë që pohojnë se iu mungon vendi i tyre, publiku, por në fund të fundit ikin. Apo mos duhet të them se shoqëria jonë është forca shtytëse që i largon? Kam përshtypjen se është kjo e dyta. Çfarë ka kjo shoqëri e pagdhendur t’u ofrojë këtyre njerëzve, çfarë ka shteti t’u ofrojë? Po e nis nga më i fundit, nga ato pensionet qesharake që artisteve nuk do u mjaftonin as për të mbajtur frymën gjallë. Pasuria  më e madhe që ata kanë lënë, arti i tyre, shitet rrugëve si rrobat e përdorura dhe çorapet ‘tri palë 100 lekë”; kolegët e tyre botërore mund të bëjnë jetë përrallore vetëm nga përfitimet nga të drejtat e autorit, për çdo riprodhim që i bëhet veprës së tyre. Këtu te ne, atë e shohim te riprodhuar si mos më keq buzë trotuareve të pluhurosur.  Për të mos harruar sallat e teatrove dhe të Bibliotekës Kombëtare pa ngrohje, dhe faktin që ky shtet degdis kushedi se ku Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të plotësuar nevojat e një ministrie. Për ardhur tek individi, tek ata njerëzit që as nuk e dinë derën e teatrit, për ata që edhe sikur ta dinë, nuk shkojnë se iu duket me mbresëlënëse kafeneja te Blloku, sepse arti nuk është trendy, sepse arti do botëkuptim të rroket, ndryshe nga Mojito që pihet tërë mendjemadhësi në banakun e club-it më  në modë të kryeqytetit. Ka një moment kur ne kujtohemi për kolosët e artit tonë- kur ata ndahen nga jeta, na bie ndërmend për medalje e dekorata. Çmimi Nobël për shembull, nuk lejohet ë jepet pas vdekjes përveç ndonjë rasti përjashtimor sporadik, sepse meritat i jepen personit në radhë të parë në formë respekti gjatë jetës së tij, ndërsa kur ai ndërron jetë i jepet fjala veprës.  Në Mbretërinë e Bashkuar titulli ‘Sir’ apo ‘Damë’ jepet  jo pa qëllim në të gjallë, pasi është e udhës që të nderohen persona që kanë të bëjnë me aktualitetin. Në këto raste shprehja “Më mirë vonë se sa kurrë”, më shumë se ngushëlluese, më duket fatkeqe. Sinqerisht më vjen natyrshëm të them që mirë e bëjnë që ikin artistët nga Shqipëria. Në fund të fundit artisti është qytetar i botës dhe arti i mirë duhet të jetë global dhe jo i bërë në një vend ku...“Lulet i hanë gomarët”.  Në të vërtetë tani as lule nuk ka. Shprehja që përdora në fillim iu referohet shkrimtarëve, por mund të përdoret për analogji për çdo fushë të artit. E pra, misioni profetik i tyre nuk mund të realizohet aty ku njerëzit, ose nuk interesohen fare ose në rastin më të mirë interesohen më shumë për jetën personale, sesa për veprën e tyre. Ne këtë bëjmë dhe ndërkohë që elitën e një kombi e lëmë paturpësisht të ikë, ne mbetemi me prarimin në duar dhe me shijen e hidhur të mendimit që do të na mungojë gjithmonë diçka për të qenë mjaftueshmërisht të mëdhenj  për t’u bërë fole e ngrohtë për njerëz të mëdhenj.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›