E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të zbulohen mbeturinat radioaktive në doganë?

Tiranë Mes togjeve me mbeturina që do të futen në Shqipëri për arsye riciklimi, mund të fshihen edhe mbetje që nuk bëjnë pjesë në listën e gjelbërt, dhe konkretisht mbeturina radioaktive. Kjo është një metodë e mirë në vende të tjera dhe përdoret nga mafia që kontrollon qarkullimin e mbetjeve radioaktive, për ti transportuar ato nga një vend në tjetrin. Mbi këtë frikë e ngriti reagimin e saj edhe opozita në parlament, e cila nuk e votoi ligjin për menaxhimin e mbetjeve. Ligj të cilin më pas e ktheu për rishqyrtim edhe presidenti i republikës.

Por, a mundet Shqipëria ti kontrollojë vërtet mbeturinat në rast se ligji do të rifuqizohet dhe do të nisë importi për arsye riciklimi? I vetmi institucion që mund të kontrollojë objektet për dozën e rrezatimit radioaktiv në Shqipëri është Instituti i Fizikës Bërthamore. Ai përgjigjet për matjen e rrezatimit për çdo objekt apo produkt që futet në territorin e vendit tonë nga doganat.

Instituti siguron se në dogana ekziston kontrolli për radioaktivitetin që mund të jetë i pranishëm në mbeturinat që importohen, nëpërmjet instrumentëve teknik  të posaçëm.

Gjenden dy ekipe të zyrave tona pranë doganës së Tiranës dhe Durrësit për kontrollin e mallrave që hyjnë në vend, praktikë kjo që nga fillimi i viteve 90. Në pikat e kalimit të kufirit janë instaluar sisteme që zbulojnë prezencën e lëndëve radioaktive. Ato materiale që kanë radioaktivitet inspektohen dhe analizohen nga instituti jonë – kështu shprehet për gazetën IDEA përgjegjësi i Qëndrës së Fizikës Bërthamore të Zbatuar pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, profesor Niko Civici.

Megjithatë, z.Civici nuk dha detaje mbi infrastrukturën që ata kanë në dogana dhe a mund të përballohet dhe kontrollohet një fluks i madh mbeturinash, të cilat mund të importohen nga porti i Durrësit me anije, në sasi të mëdha.

Një ndihmesë e madhe përsa i përket kësaj çështjeje, Civici thotë se vjen dhe prej Ambasadës Amerikane, e cila mbështet doganat me pajisjet e posaçme, si dhe ndërmjetëson që midis institutit e doganës të ketë marrëdhënie të mirë.

Ai gjithashtu thekson se ligji  i ka kushtuar një hapësirë të madhe mbrojtjes së individit nga rrezatimi dhe se mundësitë që shoqëria të preket prej tij janë të pakta.

Në përgjithësi është shumë e vështirë të bëhen veprime për përfitime të ndryshme të bizneseve që mund të dëmtonin shoqërinë, pasi ka oragane kopentente lidhur me këtë çështje, si Komisioni për mbrojtjen nga rrezatimet, Zyra për mbrojtjen nga rrezatimet, apo Agjensia për kontrollin e rrezatimeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Pra, sipas tij, futja e një materiali radioaktiv në një vend tjetër është një proçes shumë i gjatë dhe i ndërlikuar. Duke pasur parasysh kontrollin e madh që ka mbi burimet radioaktive që janë pozitive e  jetësore për një vend,  mundësitë e kalimit të mbetjeve të cilat sjellin pasoja negative mbi shëndetin e njeriut dhe të biocenozës, sipas profesorit, nuk ekzistojnë.

Greta Malaj/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Evropiani 2012, zbulohen sfidat e play off
  2. Presidenti hedh ne kosh ligjin e plehrave
  3. Mbeturinat, PS: Mafia italiane, biznes në Shqipëri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›