E Diel, 1 Nëntor 2026

“Karta e Adriatikut”, marrëveshja që solli ndryshime epokale në rajon

24-10-2011 / Gazeta 55

Delegacione nga të gjitha vendet e rajonit janë mbledhur sot në Tiranë në konferencën me temë “Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, që organizohet nga Kuvendit i Shqipërisë dhe do të zgjasë dy ditë. Qëllimi i kësaj konference është mbështetja e axhendave të përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas drejtimeve të konceptit strategjik të miratuar në Lisbonë. Sesioni i hapjes u përshëndet nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kryeministri Sali Berisha si dhe kryeparlamentarja, Jozefina Topalli.



Berisha: Rajoni ka lënë pas të shkuarën, është drejt një bashkëpunimi shembullor 

Kosova është de facto anëtare e NATO-s


Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në çeljen e punimeve të kësja konference, se Karta e Adriatikut, ia ka arritur qëllimit të saj, duke sjellë ndryshime epokale në rajon, duke bërë që edhe vendet armike të nisin bashkëpunimin, siç tha ai. “Mirënjohje për ata që ideuan Kartën e Adriatikut si një instrument të ri me të cilin donin të ndihmonin vendet tona për progres në rritje drejt anëtarësimit në NATO. Mirënjohje për funksionimin e kësaj nisme që ia doli të shënojë ndryshime epokale në rajon, të bëjë kombet e këtij rajoni më të sigurta se kurrë. Ishte kjo nismë, Karta e Adriatukut, e cila bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë edhe Koacisë, de fakto edhe të Maqedonisë në NATO. Karta e Adriatikut 5 sot, menjëherë pas themelimit e filloi me çështjet më sensitive që janë ato të sigursië, kjo nismë shërbeu për ndërtimin me shpejtësi të urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve që më parë nuk kishin parë me sy të mirë njëri-tjetrin. Vendet armike kanë shënuar sot një kapitull të ri në histori, kapitull bashkëpunimi”, theksoi Berisha. Duke e cilësuar këtë kartë unike në llojin e vetë, Berisha përmendi edhe shtetin më të ri të rajonit, Kosovën si një vend që paraqet siguri për Ballkanin. “Jam i bindur se Kosova, e cila është de fakto anëtare e NATO-s me gjithë bashkëpunimin e shkëlqyr që ka dhënë KFOR-i është garanci për stabilitet dhe paqe në rajon. Jam i bindur se pas kapërcimit të një situate problematike në veriun e Kosovës, Serbia do të marrë rolin që i takon në interesim të mirë të së ardhmes së kombit serb”- tha kryeministri. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë siguroi se “Shqipëria është e vendosur të japë çdo kontribut në sigurinë kolektive, që përbën formën më të lartë të sigurisë, forma jetike për çdo vend. Siguria kolektive është roli ndërkombëtar i vendeve të lira”- tha më tej kryeministri Berisha.



Topalli: Shqipëria në NATO, faktor paqeje dhe stabiliteti


Në parlament kemi miratuar 400 ligje, që vareshin nga mazhoranca, por nuk kemi kaluar 4 ligje që kërkonin 3/5 e votave që vareshin nga opozita

“Shqipëria si anëtare e NATO-s ka kontribuar dhe po vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive në sigurinë e rajonit, por jo vetëm të rajonit. Shqipëria, si vend i NATO-s po kontribuon për sigurinë globale bashkë me vendet e tjera. Shqipëria në NATO është garancia e  lirisë. Shqipëria në NATO është garancia sigurisë, është garancia e zhvillimit në tërësi”- tha sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Konferencën e Kartës së Adriatikut me temë “Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se “Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon dhe perspektiva europiane ka gjeneruar progres të dukshëm”. Shqipëria anëtare e NATO-s ka kontribuar edhe në rritjen e numrit të investitorëve të huaj. Shqipëria është vendi që ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër në këto 20 vjet dhe kjo vetëm për shkak të reformave dhe modelit ekonomik të adaptuar. Natyrisht që ndihem mirë që Shqipëria nuk ka kaluar në recesion. Ndihem mirë që Shqipëria është me 4% rritje ekonomike. Shqipëria është e rrethuar nga vende që po kalojnë krizë. Kriza në shkallë globale është serioze. Kuvendi i Shqipërisë, edhe gjatë kësaj legjislature ka patur një axhendë me dy shtylla kryesore: integrimi dhe ekonomia.
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë votuar 400 ligje, që bënë të mundur që Shqipëria t’i rezistojë krizës financiare botërore të 3 viteve më parë. 
Këto reforma bënë që Shqipëria t’i qëndrojë dhe krizës botërore të borxheve sovrane.
Shqipëria vazhdon me rritje të eksporteve dhe investimeve, ndonëse e rrethuar nga një krizë globale ekonomike serioze. Ky është një tjetër dimension i sigurisë së Shqipërisë në NATO.
Në parlament kemi miratuar 400 ligje, që vareshin nga mazhoranca, por  nuk kemi kaluar 4 ligje që kërkonin 3/5 e votave që vareshin nga opozita.
Këto të fundit lanë Shqipërinë pa status. Por ne shikojmë përpara. Reformat nuk do të ndalen, përkundrazi, do të përshpejtohen në vitet e ardhshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›