Komisioni i Venecias: Të përmirësohet Kodi Zgjedhor, partitë politike të nisin punën

Reforma Zgjedhore, delegacioni i OSBE dhe Komisionit të Venecias, jep rekomandimet e para
Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it mbërriti sot paradite në Shqipëri, për të dhënë rekomandimet e tyre në lidhje me ndryshimet në reformën zgjedhore. Delegacioni i Komisionit të Venecias përbëhet nga 5 anëtarë: Thomas Markert, sekretar i Komisionit të Venecias, ekspertët e Komisionit të Venecias Pieter Van Dijk, Oliver Kask, Konrad Olszewski, Pierre Garrone, shef i divizionit të zgjedhjeve. Ndërsa delegacioni i OSBE/ODIHR përbëhet nga 3 anëtarë: Armin Rabitsch, këshilltar i lartë zgjedhor, Richard Lappin, këshilltar zgjedhor, Marianna Skopa, eksperte Ligjore.
Sekretari i Komisionit të Venecias, Markert: Të përmirësohet Kodi Zgjedhor
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, sekretari i Komisionit të Venecias Thomas Markert, deklaroi se ndodhen këtu për të dhënë rekomandime, ndërsa shtoi se do të kenë takime me krerët e shtetit, përfshi këtu takim edhe me përfaqësuesit e PS. “Jemi këtu për të parë çfarë mund të bëhet në të ardhëmen për përmirësimin e kuadrit të reformës zgjedhore. Ne do të kemi shumë takime sot”- tha ai. Markert shtoi se Opinioni i Komisionit të Venecias për Shqipërinë do të adoptohet në takimin e ardhshëm, pasi të jenë dëgjuar edhe palët politike. Duke theksuar edhe njëherë se ky delegacion është këtu për të rekomanduar, Markret nënvizoi se, “nuk do të bëjmë vlerësime për të kaluarën”.
Ministri i Jashtëm, Haxhinasto: Rekomandimet e ndërkombëtarëve, plan pune për mazhorancën dhe opozitën
Gjatë konferencës së përbashkët kreu i diplomacisë shqiptare, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, tha se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, do të jenë pikë reference për Reformën Zgjedhore. Ai shtoi se bashkëpunimi për këtë reformë do të vazhdojë. “Folëm për të ardhmen, për bashkëpunimin për sa i takon zbatimit të rekomandimeve të raporteve të ODIHR-it për zgjedhjet. Këto rekomandime do të jenë pika jonë e referencës për Reformën Zgjedhore në të ardhmen, të cilën e kemi konceptuar si një proces të hapur, një proces që bëhet në kohën e duhur, i cili adreson pikërisht këto rekomandime. Kam gjetur mirëkuptimin e plotë nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe të ODIHR-it, që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim që Shqipëria të jetë modeli i standardeve më të larta për organizimin e zgjedhjeve”- u shpreh ai.
...