E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë bote do të ishte pa Europën?

22-12-2010 / Nga Moisés Naim (Presseurope.com)

Kriza e euros dhe paaftësia e qeverive europiane për të rënë dakord që ta përmirësojnë këtë gjendje e kanë errësuar imazhin e Bashkimit Europian, por modeli që ai përfaqëson është akoma shembulli më i mirë për pjesën tjetër të planetit.

Parashikimi i rritjes së papërfillshme të Europës në botë është bërë aq e zakonshme sa edhe tallja me absurditetet e Brukselit. Në pak dekada pesha e ekonomive europiane mbi totalin botëror ka kaluar nga 20% në shumë më pak se gjysma. Tashmë është vështirë të habitesh me vendimet e Bashkimit Europian. Vizitat e mia në Bruksel kanë konfirmuar se projekti europian sot i ngjan më shumë një programi të shërbimit civil për klasën e mesme  sesa një ideali të aftë të ngjallë shpresë dhe te mobilizojë forcat e tij më të mira.
Paaftësia për t’i bërë ballë në mënyrë efikase krizës ekonomike është vetëm një simptomë e një problemi udhëheqjeje më të thellë. Pse pas krizës botërore Europa ka vuajtur pasojat më të dhimbshme dhe më të zgjatura? Kriza e Irlandës e ka shtuar më tepër pesimizmin. Gideon Rachman, për shembull, shkruan për prestigjiozen Financial Times: “Parashikimi im në këtë moment është që monedha e përbashkët nuk do të mbahet dhe ekzekutuesja e euros do të jetë Gjermania”. Sipas Rachman krizat e ardhshme financiare do ta ezaurojnë durimin e gjermanëve, që do të mendojnë se kanë paguar e bërë gjithçka, ndërsa vendet e tjera nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për këtë situatë. Si rrjedhojë “Gjermania do të ndjehet e liruar nga detyrimi i saj historik i rindërtimit të Europës”.
Natyrisht që shembja e bashkimit monetar do të ishte një goditje fatale për projektin europian. Është e dukshme që do të ishte një e keqe për Europën, më pak e dukshme (ndonëse e vërtetë) është që një botë pa ndikimin e integrimin e Europës do të ishte një botë më e keqe për të gjithë. Europa i transmeton botës vlera dhe shembuj superiorë ndaj të gjithë të tjerëve. Rënia ekonomike e politike europiane e zvogëlon këtë influencë pozitive.
Heqja dorë nga lufta nga ana e Europës, e lidhur me dy konflikte të tmerrshme të shekullit të XX-të, nxit sarkazmën e atyre që ngatërrojnë pacifizmin me dobësinë. E vërteta është që një botë në të cilën një fuqi është e gatshme të gabojë që të evitojë luftën,  është më e mirë nga një botë në të cilën vendet më të fuqishëm ndihen të lirë të gabojnë duke nisur “luftërat parandaluese”.Nëse qeveria e vendit tuaj do të fillojë të dhunojë të drejtat, të torturojë njerëzit, “të zhdukë” kundërshtarët e të burgosë gazetarët, cili do të donit të ishte zëri më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar? Partia komuniste kineze, Rusia e Putinit apo Europa?
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara tolerohet shpërndarja jo e barabartë e pasurive të shekullit dhe në Rusi e Kinë të pasurit e rinj grumbullojnë pasuri të paimagjinueshme, Europa vazhdon të jetë alergjike ndaj pabarazive. Cilën botë do të preferonit, atë në të cilën 1% e popullsisë grumbullon 95% të pasurisë dhe shtresa e varfër duhet të luftojë për pjesën tjetër, apo një botë të dominuar nga një klasë e madhe e mesme dhe me ndikim politik? Europa përfaqëson skenarin e dytë.
Dimë që modeli shoqëror europian është më i miri në botë,siç dimë që në shumë vende është i paqëndrueshëm. Megjithatë, një model në të cilin miliona njerëz nuk kanë ndihmë mjekësore ose braktisen sapo humbasin vendin e punës ose thjesht kur plaken është po aq i paqëndrueshëm, përveçse i padenjë për tu rivalizuar.
Mbështetja europiane ndaj zhvillimit të vendeve më të varfra zakonisht nuk është e vlefshme. Megjithatë, askush nuk është më bujar dhe miqësor se evropianët me atë që ka më shumë nevojë. Globalizimi po shton dhe shpejton probleme që kërkojnë një përgjigje të koordinuar midis vendeve të ndryshme. Eksperimenti europian i një qeverie kolektive është më ambiciozi që është tentuar ndonjëherë nga njerëzimi. Dështimi i tij do të çonte shumë të hiqnin dorë nga këto ide dhe të mos tentonin më asgjë të ngjashme për shumë kohë, por ky është një luks që nuk mund ta përballojmë.
Nuk e di nëse projekti i integrimit europian do t’i mbijetojë pengesave të shumta me të cilat do të përballet, por di që nëse ai dështon e gjithë bota do të vuajë.
Përgatiti: L.Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›