E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e shmang dot Rama bumerangun e krizës së tij artificiale

22-12-2010 / Nga Luan Myftiu

“Një çështje e keqe bëhet dhe më e keqe po të mbrohet” - Ovidi

Tërë kohën komunizmi mbijetoi në një krizë të gjithanshme. Tërë kohën ai jetoi me delirin e madhështisë. Edhe kur i erdhi fundi, prapë mendonte se ishte i përjetshëm.  Noshta prandaj i detyroi njerëzit me “kopaçe” t’ia çmonin edhe dështimet si fitore. Se vetëm me dhunë diktaturat mund të mbajnë pushtetin e tyre. Megjithatë, duke e njohur cinizmin e vet të papranueshëm, komunizmi ulërinte për forcimin e vazhdueshëm të luftës së klasave. Ky hajdut koprac dhe ky xhelat i pashpirt kënaqej duke i mbajtur njerëzit në dëshpërim. Dhe lumturohej, kur e detyronte popullin ta duartrokiste. Mirëpo, duke e ditur që dhe dëshpërími ka një kufi, komunizmi sajonte vazhdimisht “armiq” imagjinarë. Kurse forcimin e pandërprerë të terrorit e “justifikonte” me vetëmbrojtjen nga veprimtaritë e stisura armiqësore, sabotuese, antisocialiste. Kurse propaganda i shërbente si “pararojë”, me të cilën, duke i provokuar njerëzit sistematikisht, kontrollonte shkallën e durimit të tyre. Dhe njerëzit, të terrorizuar, shpreheshin sikur ishin të kënaqur edhe për mjerimin e tyre të thekshëm. Ndaj gjithë bisedat fillonin e mbaronin me shqetësimet për “motin” dhe “sportin”. Ndërkohë diktatura i ushqente mendjet e tyre me iluzionin e një parajse, konturet e së cilës nuk u panë kurrë. Komunizmi ishte një gënjeshtër e bukur. Mirpo gënjeshtra - thotë populli - i ka këmbët e shkurtëra. Kurse diktatura mbijetoi aq gjatë, jo vetëm  me vuajtjet, privacionet dhe bashkautorësinë e detyruar të njerëzve në krimet e saj, por dhe nga propaganda, me të cilën ajo diti t’ia fshihte këmbët “gjarpërit”. Megjithatë, edhe pse i shoqëroi premtimet e tij të bujshme me terror të frikshëm, komunizmi nuk mundi ta përjetësonte “parajsën e kopaçes”. Ai nuk e shmangu dot bumerangun e veprës së tij kriminale, sepse ky është fataliteti i çdo sistemi mashtrues. Dhe kjo “aksiomë” u vërtetua edhe me “krizën” artificiale të Edvin Ramës. I ndodhur në kushte kur terrori nuk pinte ujë, Rama ndryshoi taktikë. Megjithatë, ashtu si Enveri edhe ky nisi të akuzonte e të shpifte ndaj mazhorancës, t’i qante hallin popullit me lotë krokodíli, edhe kur kjo i garantonte këtij lëvizjen e lirë. Rama zhvillon një luftë të re klasash, duke tentuar t’i diferencojë shqiptarët me akuzat se gjoja fajin për mosintegrimin e tyre në B.E. ua kanë ata, që i anëtarësuan në NATO dhe u liberalizuan vizat. Dhe arrin t’i quajë këto hapësira liríe si përpjekje të mazhorancës për të larguar nga Shqipëría kundërshtarët e saj politikë. (!) 
Tirania, si një sëmundje ngjitëse, ka prekur edhe mendjet e të privilegjuarve të diktaturës. Edvin Rama me bllokmenët e rinj nuk e pranojnë barazinë e tyre para ligjit me kundërshtarët e vet politikë. Ata nuk distancohen nga krimet e komunizmit dhe nuk njohin sukseset e mazhorancës. Ata nuk pajtohen as me lartësímin e dinjitetit, as me barazinë para ligjit të “skllevërve” të tyre të djeshëm. Ata duan vetëm mercenarë për protestat e tyre të pamotivuara dhe puthadorë, që të blihen me “kocka” të hedhura nga sofra e tyre prej hajdutësh miliarderë. Megjithatë, Rama dhe bllokmenët e rinj po e dallojnë “cunamin” e bumerangut të “krizës” së tyre artificiale, ndaj po shtrëngojnë radhët për të mbrojtur pasurítë e tyre të paligjshme. Ndoshta prandaj po mbushin edhe “panteonin” e partisë së tyre dështake me pasanikë të trembur dhe biznesmenë të komprometuar nga “dhuratat” e kryetarit  “zemërgjerë”.  
Mirpo “kriza” artificiale i polli Ramës telashe më të mëdha sesa vetë humbja e zgjedhjeve. Bumerangu i saj po i rezulton fatal, sepse dhe ideatorët e “shenjtërimit” të votës së lirë po dalin ca shpifës ordinerë, të cilët nuk po honepsen as nga socialistët idealistë, madjé, as nga militantët, që u lodhën nga gënjeshtrat e tyre pa fund. Të mësuarve me pushtet absolut, gjithë bllokmenëve të rinj, të mbledhur sot grusht bashkuar rreth Edvinit, u duken normale edhe sjelljet e tyre më skandaloze, antieuropiane. Dhe nuk u bën përshtypje opinioni i qindra mijë njerëzve, me të cilët mazhorancën e bashkon interesi i aspiratës së hershme integruese europiane. Verbëria politike e Edvinit, që buron nga arroganca e trashëguar nga diktatura më e egër, është sot ndoshta shkaku psikologjik i këtij bumerangu fatal, që po sjell edhe largimin e anëtarësísë nga P.S.-ja.
Ashtu si Enver Hoxha, i cili sa herë dështonte ( dhe ai dështonte gjithmonë !), sajonte armiq imagjinarë, sabotatorë, apo rreziqe imagjinare, shkaktuar gjoja prej një presioni permanent imperialisto-revizionist, Edvin Rama me neobllokmenët e kanë “zbuluar” shkakun, që, sipas tyre është vetëm mazhoranca. Është kjo mazhorancë që nuk po i lë këta të përkëdhelur të diktaturës të marrin pushtet të pamerituar. Kjo mazhorancë po konsolidon pushtetin e atyre, që duhet të jenë vetëm “skllevër” të pushtetit absolut të bijve të xhelatëve të djeshëm. Kjo po kërkon të distancohet nga krimet e komunizmit dhe po krijon kushte që Rama me neobllokmenët të përballen edhe me drejtësínë për zullumet e tyre. Por, ashtu siç erdhi fundi i turpshëm i “parajsës së kopaçes”, po shpërthen sot brenda P.S.-së bumerangu fatal, që Rama dhe bllokmenët e rinj e gatuan edhe duke penguar integrimin e Shqipërisë në B.E.. Apo mos vallë këta delirantë, të etur për pushtet të pamerituar, do të vazhdojnë të zhyten më thellë në protesta të pamotivuara rrugësh ? Se, i ndodhur ngushtë, Rama duket që është pushtuar nga makthi i një dyshimi shkatërrues!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›