E Diel, 1 Nëntor 2026

Mohimi i thjeshtë i raportit të Martyt nuk i ndihmon Kosovës

26-12-2010 / Gazeta 55

Kosova është duke e paguar çmimin për kultin e vet jo të shëndoshë të betejës së armatosur të UÇK-së, gjë që e prek edhe shtetin, kur vihet nën llupë miti i pastërtisë morale të UÇK-së

Raporti i Dick Martyt është një dokument i rrezikshëm. Ai nuk është i thatë dhe i matur, të cilin njerëzit do ta prisnin prej një raporti të Këshillit të Evropës, duke përfshirë në vend të kësaj shprehjen e shpeshtë të indinjatës dhe zemërimit moral, gjë e cila nuk i ndihmon që të trajtohet si neutral.
Për më tepër, kundërshtimi i hapur i Martyt ndaj pavarësisë së Kosovës nxit në mënyrë të pashmangshme dyshime se ky raport e ka marrë formën nga qëndrimet e tij personale për pavarësinë e Kosovës.
Se a është kjo e vërtetë, apo jo, mund të mos ketë rëndësi, mirëpo fakti se shoqërisë kosovare ai shpesh i referohet si shoqëri “ende e orientuar nga klanet” dhe “ku mungon një shoqëri e vërtetë civile”, ia jep raportit një hije stereotipike.
Më në fund, raporti duket i obsesionuar për ta sfiduar atë që autori e konsideron jobalancë në perceptimin e konfliktit të Kosovës si konflikt “midis serbëve në njërën atë, të cilët konsideroheshin të këqij, dhe shqiptarëve të Kosovës, që konsideroheshin si viktima të pafajshme”.
Kjo paraqet një interpretim të shtrembëruar rreth asaj se si shihet në të vërtetë konflikti, dhe janë të paktë studiuesit apo vëzhguesit e vëmendshëm që do ta mbështesnin një pamje të tillë. Edhe kjo e vë në rrezik raportin. Një raport duhet të merret më pak me luftimin e perceptimeve, duke u përqendruar në atë se çfarë ka ndodhur. Interpretimi se si kjo gjë mund të ndikojë në perceptimet e konfliktit është më mirë që t’u lihet të tjerëve.
Ashtu siç thekson edhe vetë Marty, provat për akuzat janë të pakta, apo të paktën nuk mund të paraqiten publikisht, për shkak se raporti mbështetet në dokumente të pabotuara dhe sekrete.
Ndonëse këta faktorë e dobësojnë raportin dhe ia ulin peshën, një gjë e tillë nuk do të thotë se raporti është i parëndësishëm. Përgjigjja e kryeministrit Hashim Thaçi, kur ai tha se ishte fyer si “kryeministër i Republikës së Kosovës, mirëpo në rend të parë si qytetar dhe prind”, bën të ditur se raporti ka prekur në tela.
Thaçi e hedh poshtë në veçanti idenë se UÇK-ja ka mundur të kryente krime, duke deklaruar se “e tërë bota e di se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima në Kosovë”.
Natyrisht se kjo deklaratë është e rrezikshme, për shkak se kurrë nuk ka viktima absolute dhe agresorë absolutë. Ky argument është bërë në pothuajse secilin shtet të ish-Jugosllavisë. Megjithatë, pohimi se nëse je në anën e viktimave, atëherë nuk ke bërë krime, është absurd.
Ky pohim për viktimizim absolut ka qenë baza e miteve në të gjitha shtetet e rajonit. Në Kosovë në veçanti ky mit nuk është sfiduar në masë të mjaftueshme. Ashtu siç edhe dëshmon emërtimi i Aeroportit të Prishtinës me emrin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Jashari, kulti për UÇK-në është duke e futur Kosovën në grackë.
Në vend të të pasurit të “miteve të shumëllojshme”, duke u përfshirë më shumë edhe me taktikën e rezistencës paqësore të të nëntëdhjetave, shteti dhe udhëheqja e tij e kanë lidhur veten shumë me UÇK-në, dhe kjo ndikon edhe tek shteti, kur UÇK-ja implikohet në krimet për të cilat akuzon raporti i Martyt.
Ndërtimi i shteteve nacionale është shpesh një ndërmarrje e përbashkët kriminale, që përfshin dëbimin e pakicave, luftën kundër fqinjëve dhe aktet e dhunës. Kjo nuk e dallon Kosovën edhe aq shumë prej shteteve të tjera.
Problemi i Kosovës qëndron tek reputacioni i saj. Padrejtësisht, apo jo, Kosova shpesh lidhet me krimin e organizuar dhe me kërcënimin e dëshmitarëve. Për këtë arsye, mohimi i thjeshtë nuk është strategji e mirë për ndryshimin e këtij perceptimi.
Në vend se të mohohet se krimet janë kryer, mënyra e pranimit të Kosovës si shtet legjitim është që të merret një qëndrim kritik ndaj trashëgimisë së UÇK-së, duke mos lejuar që “patriotizmi” të bëhet arsyetim për moshetimin e krimeve.
Kryeministri Thaçi mund ta ketë mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, mirëpo reagimi i tij pas raportit dhe sugjerimet e tij të paqarta rreth konspiracionit serb nuk do t’i ndihmojnë reputacionit të Kosovës, e për rrjedhojë edhe legjitimitetit të saj ndërkombëtar.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›