A po e humb Hamasi Gazën?

Kur lëvizja islamike, e njohur me emrin Hamas, vuri Gazën për herë të parë nën kontroll, në vitin 2006, familja e Ahmed Ayyashit, student i vitit të tretë i inxhinierisë, në Universitetin Islamik, të drejtuar nga Hamasi, e mbështeti fuqimisht këtë lëvizje.
Sikurse edhe pjesa më e madhe e palestinezëve, ai dhe familja e tij menduan se islamistët do të ofrojnë një qeverisje të pastër, për dallim nga Fatahu i zhytur në korrupsion, i cili kishte qeverisur rajonin me vite të tëra.
Më pas, nëna e Ayyashit aplikoi për t’u punësuar si mësuese. Asaj ju ofrua menjëherë ky vend i punës: për zyrtarin e Hamasit, i cili e intervistoi atë, me rëndësi ishte se bashkëshorti i saj njihte njerëz në qeverinë e re.
Si një femër me parime, nëna e Ayyashit e refuzoi vendin e punës, thotë ai, pasi që ishte e mendimit se i ishte dhënë nëpërmjet lidhjeve.
Fjala lidhje në Gazë ka simbolizuar çdo gjë që është e gabuar dhe që ndërlidhej me administratën e vjetër, një gjë që Hamasi kishte premtuar se do ta kundërshtoj dhe luftojë.
Ayyash humbi shumë herët besimin tek islamistët dhe gjashtë vjet më vonë, këtë mendim e ndajnë edhe shumë banorë tjerë të Gazës, të cilët theksojnë se Hamasi favorizon një numër të vogël të njerëzve, ndërsa popullata shumicë po vuan.
“Disa shtëpi kanë nga katër apo pesë anëtarë të familjes që punojnë, ndërsa të tjerat asnjë. Kjo nuk është korrekte”, thotë Safa Abu Elaish, inxhinier, i cili nuk ka arritur të punësohet. Ata që punojnë kanë ankesa tjera.
Ansaf Bash, recepcioniste në Universitetin Islamik, thotë se ka pritur tetë vjet në listën e njerëzve të interesuar për pelegrinazh në Mekë, udhëtim ky i cili financohet nga qeveria e Hamasit. “Nëse e njeh dikë të fuqishëm, atëherë emri juaj do të përparojë në listë”, thotë ajo.
Ankesat e këtilla, të cilat janë dëmtuese për çdo parti politike, mund të jenë fatale edhe për islamistët.
Të rrethuar dhe të izoluar nga Izraeli dhe Perëndimi, të cilët e konsiderojnë si grup terrorist dhe i ndarë nga popullata shumicë palestineze në Bregun Perëndimot, Hamasi mund të ofrojë shumë pak, përveç kredencialeve të veta xhihadiste-dhe premtimin për qeveri të pastër.
Prandaj nuk habit fakti se popullariteti i këtij grupi në Gazë po shënon rënie të shpejtë. Anketat e fundit dëshmojnë se po të mbahshin sot zgjedhjet në Gazë, Hamasi nuk do ta fitonte pushtetin.
Hamasi do të fitonte 28 për qind të votave, për dallim nga 44 për qind, sa kishte fituar në vitin 2006.
Në veçanti alarmues për islamistët është fakti se përkrahja për Hamasin ka shënuar rënie të dukshme në mesin e të rinjve. Dy e treta e popullatës në Gazë është nën 25 vjet.
Pas protestave në Kajro, në Gazë u zhvillua një anketë në muajin mars, me ç’rast 60 për qind e palestinezëve të moshës prej 18 deri në 27 vjet theksuan se do të mbështesnin protestat publike për ndryshimin e qeverisë.
Pak kohë pas bërjes së anketës, rreth 10 mijë palestinezë u tubuan, me një kërkesë më modeste: që Hamasi ti jep fund grindjes së përgjakshme me Fatahun, lëvizje kjo sekulare, të cilën Hamasi e përmbysi para gjashtë viteve. Hamasi dërgoi banditë, për të shpërndarë protestën.
“Ne dolëm për të theksuar se njerëzit duhet të jenë të bashkuar, ndërsa ata na sulmuan. Jemi të ngopur dhe kemi nevojë për ndryshim të regjimit”, theksoi Shadi Hassan, i cili jeton në një kamp të refugjatëve dhe shet cigare.
Por protesta nuk kishte e kotë: Hamasi dhe Fatahu shumë pak kohë më pas njoftuan se do të pajtohen. Marrëveshja e tyre premton zgjedhje të reja në maj të vitit të ardhshëm, por islamistët me gjasë nuk mirëpresin këto zgjedhje.
Hamasi duhet të bëjë diç, për të rikthyer besimin e njerëzve në Gazë. Ndoshta do të arrijë të forcohet për një periudhë afatshkurtër, pas marrëveshjes për të liruar ushtarin izraelit, Gilad Shalit, të cilin po e mban peng që nga vitit 2006, në shkëmbim të 1 mijë palestinezëve, të burgosur nga Izraeli.
Por euforia për lirimin e tyre me gjasë nuk do të largojë problemet, për të cilat shumica e banorëve të Gazës e fajësojnë Hamasin.
Por si i humbi Hamasi zemrat dhe mendjet e banorëve të Gazës?
Jo në atë mënyrë siç mund të mendoni. Shumë pak palestinezë e fajësojnë Hamasin për gjërat më dëmtuese, që ndodhën nën kryesimin e këtij grupi: rrethimin, embargon në tregti, aksionin ushtarak izraelit në vitin 2008, si pasojë e të cilit u vranë mbi 1 mijë persona. Ata nuk ja falin Hamasit izolimin ndërkombëtar, vendimin e Perëndimit për të ndalur ndihmat për Gazën, për shkak të aktiviteteve terroriste të Hamasit.
Tani madje edhe zyrtarët e Hamasit pajtohen se kanë humbur mbështetjen. “Po, pjesa më e madhe e popullatës kërkon ndryshime”, ish-zëvendësministër i Jashtëm i Hamasit, i cili tani kryeson një organizatë joqeveritare. “Nuk janë të lumtur me mënyrën se si po e qeveris Hamasi Gazën. Kudo që shikoni mund të shihni mjerim”, shton ai.
Rreth 40 për qind të banorëve të Gazës jetojnë në varfëri. Shkalla e papunësisë arrin në 50 për qind dhe është një ndër më të lartat në botë dhe me gjasë do të përkeqësohet edhe më shumë.