Globalizohet protesta “Occupy Wall Street”

Të paktën 45 persona u arrestuan aty dhe 24 të tjerë pranë parkut “Washington Squer”, po në New York. Kjo vjen një ditë pas protestave botërore kundër masave për shpëtimin e ekonomisë dhe atë që pjesëmarrësit e cilësojnë babëzi të korporatave.
Në Romë, të paktën 70 persona u lënduan, pas një marshimi paqësor, i cili u shndërrua në një betejë të vërtetë.
Persona të veshur me të zeza nisën t’i vënë flakën makinave, sulmuan bankat dhe dyqanet. Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, e cilësoi dhunën një shenjë shqetësuese dhe tha se autorët duhet të kapen dhe të dënohen.
Në Madrid, protesta pati një atmosferë më festive. Dhjetëra mijëra njerëz, të të gjithë moshave, mbushën sheshin Puerta Del Sol.
Në Portugali, 20 mijë persona marshuan në Lisbonë dhe po aq edhe në Porto.
Në Greqi, rreth 2000 persona u mblodhën jashtë parlamentit të Athinës dhe pothuaj kaq në Selanik.
Në Londër u mblodhën rreth 1000 protestues, por u ndaluan nga policia.