A po fshihet Edi Rama?!
Fillimisht duhet të biem dakord nëse vërtet po fshihet, apo po bën atë që ka bërë qysh ditën e parë që ka hyrë në politikë, kësaj radhe në funksion të garës së kryetarit që do të hapet zyrtarisht në Kongres. Pra, të tërhiqet, të shmanget dhe të presë deri në fund, edhe pasi të ketë rënë gongu. Dhe, pasi të kemi rënë dakord nëse kjo është një taktikë apo një inerci historike e Edi Ramës, duhet të shohim se si e influencon të ardhmen e PS-së dhe të vetë zhvillimeve politike kjo strategji e çuditshme e heshtjes.
Pak ditë pasi teorema e fitimit të disa zonave zgjedhore në tavolinën e gjykatësve iu shkri në duar si bora në diellin e majit, Rama e la Shqipërinë për një udhëtim, me sa duket, ekskluzivisht privat. Humbja kishte tashmë formë zyrtare dhe shifrore. Në atë moment kjo lëvizje dukej se synonte së pari të amortizonte goditjet e Blushit, Malajt e të tjerëve, duke u lënë atyre fushë të hapur dhe, së dyti, ndoshta për të dhënë sa të mundej idenë, tashmë banale, që politikanët shqiptarë duan rëndomë të transmetojnë te publiku, sipas së cilës çdo vajtje përtej Atlantikut ka brenda mister dhe intrigë që lidhet patjetër me “miq” të padukshëm diku në administratën amerikane, që punojnë në favor të x apo y politikani nga Tirana që shkel aty.
Nëse këtë idenë e dytë s’mundi ta konkretizojë me ndonjë lajm apo emër real, të paktën Rama i iku një debati që, sipas taktikës së tij të njohur të evitimit të çdo përplasjeje dhe debati, do t’i prishte punë dhe do ta ekspozonte në sytë e socialistëve të çoroditur.
Pas kthimit nga SHBA-të, Rama i është rikthyer qetësisht taktikës së tij të vjetër të mosveprimit dhe të tërheqjes në hije. Në një periudhë kohore kur Berisha miratonte leje ndërtimi dhe emëronte prefektë sipas oreksit, kur abuzivizmi vijonte i pashqetësuar të ishte praktikë dominuese shtetërore dhe kur mandati i sapofituar me fotofinish po përkthehet në një tur festimesh të shëmtuara tragjikomike nëpër Shqipëri, që ngjajnë me një surrogat të fushatës së sapombyllur, Edi Rama, i rrethuar nga një debat i brendshëm që mbush faqet e para të shtypit, vazhdon t’i besojë deri në kufijtë e absurdit metodës së tij të fshehjes dhe mbylljes së gojës. Sipas motos angleze “more of the same” (më shumë nga e njëjta gjë), me sa duket ai po përgatitet që t’u servirë socialistëve me kokëfortësi e stoicizëm të pakuptueshëm, të njëjtin stil politik, të njëjtën axhendë, të njëjtat teza dhe ide si para 28 qershorit. Pra, sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, siç thotë proverbi. Rama e di se PS-ja ndodhet në një moment rënieje psikologjike dhe mbingarkese emotive, që mund ta ndihmojë atë të rizgjidhet, në emër të mllefit për manipulimet dhe sidomos të kalimit të LSI-së në prehrin e Doktorit. Porse kjo është një skemë afatshkurtër dhe dritëshkurtër. Opozita katërvjeçare, nëse ky do të jetë termi kohor, ka për ta vënë në një provë të ashpër strukturën partiake të PS-së, në qendër dhe në bazë. E vënë përballë agresivitetit të qeverisjes së re, PD-LSI, linja apatike e Edi Ramës s’mund veçse ta demotivojë dhe dobësojë ngrehinën institucionale të opozitës, duke nisur nga grupi parlamentar.
Rama kujton se duke ruajtur një profil më shumë se të ulët, do të lodhë konkurrentët dhe “sherrxhinjtë” brenda dhe jashtë partisë së tij. Ai kujton se mëngjesin e 29 gushtit, shumëkush që e konteston s’do të ketë më ç’të thotë në foltoren kongresiste, pasi ka folur këto javë kur të gjithë ishin në plazh, kurse ai vetë do të ngjitet aty i freskët dhe i pakonsumuar. Një strategji fine dhe e zgjuar, nëse në atë foltore Edi Rama nuk do të dilte për t’u thënë, ashtu siç, me sa duket, do të ndodhë me siguri, qindra delegatëve, se zgjedhjet i fituan, porse fitorja u vodh rrugës dhe mbeti e kyçur në kutitë e votimit dhe procesverbalet e zgjedhjeve.
Në këtë pikë Edi Rama mund ta humbasë, me shumë gjasë, të gjithë atë avantazh që këtyre javëve të nxehta i ka dhënë tërheqja dhe mbajtja e gojës në publik. Jo më në sytë e kongresistëve, por të të gjithë shqiptarëve. Sepse nëse tingëllon i gabuar politikisht qëndrimi i Blushit kur thotë se votat nuk u vodhën, ngjan po aq, në mos më shumë jashtë kohe dhe hapësire, pretendimi i kryetarit në detyrë se zgjedhjet u vodhën në fund të një fushate perfekte dhe pa asnjë të çarë për PS-në. Nëse vërtet Edi Rama do të dalë në këtë pozicion butaforik duke u thënë tërthorazi delegatëve socialistë se s’ka ndër mend t’i korrigjojë apo t’i heqë asnjë bulon mekanizmit të ndërlikuar politik të PS-së si pasojë e humbjes së qershorit, ai do të hapë, me sa po shihet, një stinë të vështirë politike për të majtën, që mund të ketë një fund edhe më të vështirë ditën kur do të hapen kutitë e votimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Edi Rama s’ka pse ndryshon për hir të të ndryshuarit. Askush nuk i kërkon atij që të bëjë një akt katarsisi sa për formë, sa për zakon, apo sa për modë. Kryetari i ardhshëm i PS-së, që me shumë gjasë do të ketë sërish të njëjtin emër, duhet ta heqë më në fund nga mendja se gjithçka tek ai, individi që i dha në këto zgjedhje enës socialiste formën që dëshiroi, ka qenë perfekte dhe pa defekte. Kudo dhe kurdo dështimi paguhet, sepse ai ka një çmim që sot lexohet lehtë te humori i prishur i votuesve të opozitës. Marrja përsipër e përgjegjësisë është çmimi që duhet të paguajë Edi Rama. Natyrisht, jo më i shtrenjti dhe më i rëndi.
Edi Rama ka dhe një fishek të fundit, që mund ta përdorë mirë, duke qëlluar më në fund në shenjë. Nëse Kongresi do të jetë një moment reflektimi serioz dhe jo patetizmi anti-berishian, nëse dalja përballë forumit më të lartë të PS-së do të përdoret për të vënë me sinqeritet e transparencë disa pika mbi “i”, e jo për të bërë makijazhin e humbjes së 28 qershorit, Edi Rama do të dëshmojë se është i bërë prej stofit të politikanit, e jo prej brumit të njeriut që nuk ngrihet dot mbi gabimet e tij.
Rënia e zhurmshme e 28 qershorit, përtej vjedhjeve dhe manipulimeve që natyrisht ndodhën dhe do të ndodhin prapë nëse votimet i sheh si meshë, më shumë sesa si akt politik, ka një përgjegjës kryesor, që sot ka për detyrë të zhbëjë atë që bëri keq. Dhe si ta ketë bërë vetë këtë, të tjerët pas tij, me siguri që do t’i drejtohen në rresht për një foltores së Kongresit duke bërë mea culpan e tyre. Ka një radhë përgjegjësia politike aktuale brenda PS-së, por nëse ajo bllokohet qysh në krye, faji mbetet jetim dhe gabimet do të mbijetojnë e do të trashen në të ardhmen. Duke e helmuar ende pa nisur mandatin e dytë të pritshëm të Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste.
Skënder Minxhozi
27 Gusht 2009