E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet trupi i shoferit të mbytur afër Butrintit

Automjeti që drejtohej nga 42-vjeçari Flamur Hasani shkau nga platforma e lundrës dhe përfundoi në ujrat e kanalit te Vivarit pranë Parkut Kombëtare të Butrintit. Hetimet: Shoferi kishte konsumuar pije alkoolike. 

SARANDE- Është gjetur sot në mëngjes trupi i pajetë i drejtuesit të automjetit të tonazhit të rëndë i cili u fundos dje në kanalin e Vivarit pranë Parkut Kombëtare të Butrintit, pasi shkau nga platforma e lundrës që lidh dy brigjet.

Tragjedia u regjistrua në orën 00:20 të së enjtes. Automjeti me targa SR-6846-B që drejtohej nga 42-vjeçari Flamur Hasani, pronar i një pike inertesh në Ksamil, i ngarkuar me tulla ka shkarë nga platforma e lundrës dhe përfundoi në det. Automjeti që ai drejtonte ishte ngarkuar me tulla dhe do lëvizte në drejtim të fshatit Shëndëlli, ku 42-vjeçari kishte të martuar vajzën. Hasani ka prerë shpejt automjetin në momentin e hipjes në lundër, gjë që ka sjellë daljen e tij nga mjeti ujor dhe fundosjen në ujërat e detit. Punonjësit e turnit të lundrës kanë dhënë alarmin, por për shkak të errësirës asgjë nuk është bërë deri në orën 06:00 mëngjesit të së enjtes. Në orën 13:30, të së enjtes automjeti i tonazhit të rëndë është mundur të nxirret nga ujërat me anë të një vinçi. Ndërkohë që forca të RENEA-s dhe polumbarë nga Tiranë kanë nisur operacionin e kërkimit të trupit të mbytur të 42 vjecarit, banor i Ksamilit.

Në funksion të zbardhjes së tragjedisë, janë shoqëruar për dëshmi dy punonjësit e turnit të shërbimit në lundër. Ata kanë shpjeguar se "drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur dhe nuk i dëgjoi, por u fut dhunshëm në lundër". Burime paraprake nga grupi i hetimit konfirmojnë se shkak i aksidentit rezulton manovrimi i gabuar i shoferit dhe përdorimi i pijeve alkoolike nga ana e tij.

Ndërkohë, dje në mesditë policia ka dhënë urdhër që për 2 ditët në vazhdim të ndërpritet lëvizja në kanalin e Vivarit pranë Parkut Kombëtare të Butrintit, për shkak të riparimit të dëmtimeve të platformës së lundrës. Për këtë qëllim, një postbllok policor orienton në një rrugë tjetër emigrantët që vijnë nga Qafë-Bota.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›