E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sikur Shqipëria të shikonte drejt



Nga Meri Dishnica

Kuadri është i thjeshtë, një dukje e qartë, asnjë kompleksitet, asnjë dilemë… është aty para nesh… është një elitë politikanësh. Ata ecin në ato gjurmë, në ato korridore, nën atë politikë. Kush e ka marrë guximin të shohë përtej, të shohë themelet, idealet dhe vlerat, nëse janë akoma aty? Të gjejë të dhëna nëse kanë ekzistuar ndonjëherë, nëse janë zhdukur, apo janë tjetërsuar?
Kush i vendosi kriteret e arsyetimit? Kush vendos rendin e hierarkisë, “kush” ndjek “kë”?! Nuk duhet asnjë përpjekje për t’u thelluar, asnjë linjë nuk imponohet për t’u ndjekur, duke besuar se çelësi është “të ecësh me hapin e kohës” në varësi të rrethanave, interesave dhe çastit (duke u lutur që të jetë konvenient). Demokracia nuk ka qenë kurrë më gjithëpërfshirëse se kaq, kaq “e mbytur” në një terren kompromisesh si kurrë më parë, kaq e kërcënuar për vërtetësinë saj.
Po lëkunden bazat nën frymën e një “demokracie bashkëkohore” që ka çelur në një tokë pjellore kompromisesh, ku përzihen formula të gatshme zgjidhjesh dhe slogane të marra hua nga fushata në fushatë. Koncepti i demokracisë rreket të ruajë sensin dhe të sigurojë kontinuitet brenda këtij sistemi të tjetërsuar vlerash, ku bindjet dalin në plan të dytë dhe formula partiake harrohet.
Baza përpiqet të ruajë themelet e saj, ndërsa manipulohet me integritetin e një rryme të mirëfilltë politike (që në fund të fundit nuk dallojnë nga njëra-tjetra, as nga orientimi as nga bindjet, dallojnë veç nga krerët dhe karizma e tyre bindëse). Politika nuk do të jetë kurrë e denjë për demokracinë si koncept. Sepse politika i ka të gjitha llojet e pushteteve brenda, pavarësisht se mund të jenë të fshehur nën një linjë partiake të caktuar, qoftë të majtë apo të djathtë, brenda një partie janë të gjitha llojet e pushteteve, përdoren të gjitha format e bindjes, luhet me dhe pa rregulla. Vendosen objektiva afatgjatë në rrugë qorre. Kompleksiteti i marrëdhënieve përfshin paanësi, ndikueshmëri të lartë dhe harresë kolektive. Ka gjasa të thonë se u përdor arsyeja, se u morr vendimi i duhur, se vetëm ndjekin hapat, ecin përgjatë reformave, me formula të gatshme në dorë dhe me besim empirik, por në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veç i largohen gjykimit të ftohtë.
Përse preferojnë fleksibilitetin duke mbyllur sytë në shumë parime dhe vlera? Ndjekja e një linje të caktuar politike manipulohet nga tendencat e kohës pa e vrarë shumë mendjen për moralin që po thyen, drejtimin që po ndryshon, vendin ku po shkel.
Realiteti i largohet bazës objektive nën dritën e vazhdimësisë së pushtetit ku tentohen të arrihen synimet, vetëm dhe duke humbur vërtetësinë. Çfarë prezanton një elitë politikanësh, kush ka bërë analizë, kush ka vendosur kritere, kush i ka vënë kufij demokracisë… kush tha se ne jemi të lirë nën drejtimin e tyre?
Sikur Shqipëria të shikonte drejt?! Të kishte një qëllim, drejt të cilit të shkonim, të besonim në vërtetësinë, në pamohueshmërinë dhe në fuqinë e tij. Të mos humbnim kohë, mos ta lodhnim kokën majtas apo djathtas, parime të thyera, ndër fjalë të tjetërsuara sa për mos t’u dukur të njëjta, gabime të mbuluara, fjalë të lëna pezull (në këtë pikë ka gjithmonë konsensus). Në fund të fundit ky popull do ta vuajë këtë fakt, ashtu si demokracia vuan nga fshehja e realitetit, sepse politika nuk është e denjë për çmimin e demokracisë. Ajo çka duhet të bëjmë ne është të vështrojmë dhe të gjykojmë, të jemi interaktivë dhe të mbajmë gjallë frymën e shoqërisë civile… sepse ashtu siç ka thënë Tomas Jefferson, një nga themeluesit e shtetit amerikan “Çmimi i lirisë është vigjilenca e përjetshme”.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›