A do ta kapërcejë PS-ja trashëgiminë e adhurimit si perëndi?
Një nga veset primitive që la trashëgim komunizmit, është vlerësimi i drejtuesit të partisë si Perëndi. Të gjithë e mbajnë mend kohën, kur njerëzia gjunjëzohej edhe para një shkopi, që kishte vënë në krye të saj partia. Kjo ishte një normë kategorike. Kush mendonte keq për drejtuesin, mund ta paguante dhe me kokë. Diktaturat kishin nevojë për adhurimin e kreut të tyre. Ky ishte “rrufepritësi”, që gjoja, mbante në shpinë të gjitha përgjegjësitë e krimeve. Gjithë xhelatët ndiheshin të qetë pikërisht pse mëkatet i mbante gjoja, në shpinë “Zeusi”. Kurse ky “nastradin” asnjëherë nuk i la pa ndëshkuar pa faj mercenarët e tij, kur punët nuk i shkonin mirë. Kjo dhelpër caktonte në krye të shtetit e të partisë njerëz, që nuk dinin nga lidhej gomari. Dhe këta ishin ato “kthetrat” e kuçedrës, kurse të tjerët, vartësit me kulturë, paguanin gjithë paaftësitë e injorancës. Nuk mbahet mend t’i jetë ngarkuar ndonjë faj udhëheqësit të pagabueshëm. Të gjithë duhej të ndiheshin të lumtur, kur ai u privonte të drejtat më elementare. Asnjëri nuk pyeste, askush nuk ankohej, sepse shkaqet duhej t’i dinte vetëm drejtuesi, “Perëndia”. Por që ky sharlatan të dukej tokësor, nxiti cilindo tutkun të ëndërronte të bëhej edhe drejtues i lartë. Dhe pati raste që të tillë u bënë vërtet. Kjo e forconte ndjenjën e adhurimit ndaj maskarait, që i shkelte adhuruesit e tij me këmbë. Kështu mbijetoi ajo diktaturë e egër, që sot me vështirësí besohet nga brezat e rinj. Kur hiçërit marrin atributet e Zotit, shndërrohen në djaj tepër të rrezikshëm. Pastaj ata nuk njohin as mëshirë, as keqardhje, asnjë lloj tjetër dhembshurie njerëzore. Prandaj shpesh ata betoheshin se për drejtuesin e partisë therrnin edhe djalin e tyre të vetëm.
Ky adhurim absurd dhe i rrezikshëm mbijetoi në partinë socialiste. Duke mos i futur në numër “dordolecët”, që adhurojnë, madje, dhe sot tiranin më gjakatar, gjen mjaft socialistë të thjeshtë, të painkriminuar, që e shohin endé si perëndi drejtuesin e tyre. Është një lloj “eksportimi” dinjiteti, apo një lloj dashurie e përzier me frikë instinktive, një dëshirë e fshehtë për të marrë një grimë madhështie nga emri i atij që bën ligjin, kjo i takon psikanalizës ta përcaktojë. Adhurimi i njeriut është, ndoshta, një nga gabimet fatale, që komunizmi bëri duke zbritur Zotin nga qielli dhe duke e futur në figurën e një “mëkatari” të rëndomtë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet tërë ky shqetësim i socialistëve për të larguar nga posti një copë kryetar që, në fund të fundit, rezultoi i pasuksesshëm. Mirpo është kjo ndjenjë përulësie fyese, që nuk i lë, ky adhurim vullnetar ndaj një autoriteti të krijuar nga vetë njerëzit, që i pengon duke përftuar situata, ku peshkojnë gangsterë të rafinuar, mafiozë të paskrupullt dhe sekserë të pacipë. Të përmbysurit nga demokracia, tërë ata që u pasuruan pa djersë gjatë tranzicionit, nuk e durojnë sot barazinë para ligjit me viktimat e tyre të djeshme. Ata harxhojnë miliarda të vënë në krye të partisë së lidhur me krimin, njerëz ambiciozë e të komprometueshëm, që, si të tillë, të mos mundin ta lëvizin bishtin, kur interesat e këtyre xhambazëve të preken. Dhe nuk është vetëm mohimi i propozimit, që bëri Rama për largimin e drejtuesit në rast humbjeje të zgjedhjeve, që po krijon këtë furtunë grindjesh brenda P.S.-së. Jo! Kjo do të ishte një lodër fëmijësh, nëse prapa saj nuk qëndrojnë skalionet e “xhambazëve” të djeshëm e të sotëm, që nuk e duan demokracinë, as shtetin ligjor, as integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Europë, pa u krijuar më parë ato kushte, që nuk do të lejonin t’u cënoheshin interesat këtyre hajdutëve me çizme.
Natyrisht, legjionet e këtij krimi ekonomik e politik nuk dalin haptaz. Madjé, ata as që kanë nevojë të dalin në skenë. Ata diktojnë me presione të kamufluara liderin e tyre, që kanë bërë ortak në korrupsion. Prandaj Rama është sot edhe i detyruar të mos pranojnë të japë dorëheqje, ndonëse ka dështuar në zgjedhje, apo shkel nenin statutor që vetë e ka propozuar për largimin e kryetarit humbës. Ai detyrohet sot të lëpijë atë që ka pështytur. Të pranojë t’i shëmbet integriteti moral. Të njollosë dinjitetin e partisë. T’i rrezikojë asaj të ardhmen. Ta katandisë Shqipërinë me një opozitë, që të mos jetë as mish, as peshk. Se nuk mund të shpjegohet ndryshe gjithë kjo zallamahí për largimin e një kryetari partie, kur elektorati socialist, ndonëse i zemëruar, është dhe i qetë, sepse e di tashmë shkaktarin e humbjes dhe e kupton se me sa lehtësí mund të detyrojë një kryetar të dështuar të japë dorëheqjen ! Nuk shpjegohet dot ndryshe, tërë ky angazhim forcash e strukturash për të organizuar një kongres, i cili, sipas disa gjasave, mund të rimbajë në krye të P.S. një kryetar, që është bërë simbol i humbjes, i dështimit, apo i sloganeve bajate, përzierë me lotë krokodili ? Me një fjalë : ”Të mbarset mali, të pjellë një mí !” Po cili mund të jetë ai delegat me dinjitet që do të mund të votonte përsërí për një ciceron qesharak, që bën të tilla shkelje flagrante statutore ? Cili socialist i ndershëm do të tallte veten duke rizgjedhur në krye të partisë një kryetar të kapur nga hajdutë me zile ?!
Mirpo këto mund të ndodhin, sepse në P.S. ruhet endé si një vlerë adhurimi i një maskarai siç ishte E. Hoxha ! Nuk është zhdukur në këtë parti ai shpirt nënshtrimi ndaj personit që drejton. Nuk është shkulur patundshmëría e një pushteti të përjetshëm, që mbijeton nëpërmjet pavdekshmërisë së kauzës që mishërohet në figurën e udhëheqësit të pagabueshëm! Ky adhurim i socialistëve shfrytëzohet sot prej mafizovëve, të cilët e kanë katandisur edhe vetë Ramën të mendohet si kali qorr, të shpikë dhe marifete për të justifikuar vazhdimin e hajdutërisë kolektive të këtyre gangsterëve, që janë betuar ta bëjnë Shqipërínë një çiflik të tyre. Janë këta që u fryjnë në vesh gjithë maskarenjve që merren me punë të pista, me paturpësíra të ngritura në filozofi mashtruese si “politika të reja”, apo slogane të errëta “përtej së majtës e së djathtës”, e tj. Këta, pra, pjesë e të cilëve është dhe Rama, ndoshta janë ata që prodhojnë edhe “zërat” që i vijnë Ramës nga lart dhe e porositin të vazhdojë rrugën e mashtrimit, të shpifjes, të krijimit të situatave pa zgjidhje. Këta i porositin zgjedhjet e parakohshme dhe qeveritë teknike. Janë këta që duan të “hakmerren” edhe ndaj elektoratit, që ka krijuar bindjen se ka perënduar epoka komuniste e adhurimit të drejtuesit si Perëndi !...
...