E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaketat e vjetra - gomonia e Edi Ramës

Ruçi - Ministri i Sigurimit të Shtetit, Dokle - roja komuniste e Bashkimeve Profesionale, Arta – Dadeja e Bllokut dhe Xhafaj – dhuruesi i luleve për diktatorin janë llogorja e nomenklaturës komuniste që po shërben si gomone shpëtimi për kryetarin mandatprerë – pinjoll i Komitetit Qendror.
“Zërat nga Lart” që dëgjon Edvini janë porosi për të rinovuar një regjim të brezit të dytë të familjeve të diktaturës, prandaj ndalimi i nismës reaksionare është një mision që e kapërcen etikën e mosndërhyrjes në punët e brendshme të ish-komunistëve

Kryesia e mbrëmshme e socialistëve e ka rrëfyer qartazi rreshtimin e forcave tek ish-komunistët shqiptarë. Në krah të Edvinit, bile pa asnjë ekuivok, janë rreshtuar xhaketat e vjetra të partisë, ato që ia dedikojnë karrierën politike shërbimeve të vogla e të mëdha për agjencitë sekrete të Partisë së Punës dhe të Sigurimit të Shtetit.
Në krye e mbi të gjithë mbështetësit spikat Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, por edhe nëndetësja që po u mbijeton të gjitha tallazeve të Partisë Socialiste, në sajë të lidhjeve dhe trashëgimisë sigurimse që ngërthen mbi shpinë. Janë këto motive që e detyrojnë Gramoz Ruçin të mos mendohet dy herë, por ta përkrahë fort e pa rezerva pinjollin e Komitetit Qendror, monstrën politike që po tenton restaurimin e nomenklaturës, përmes riciklimit të brezit të dytë të fëmijëve të diktaturës.
I dyti është Namik Dokle, i famshëm si buratini i Ramiz Alisë, por më herët dhe më gjatë akoma, si njeriu i Bashkimeve Profesionale, syri dhe veshi i diktatorit dhe i strukturave represive në radhët e punëtorëve, atje ku edhe ekzistonte droja më e madhe e revoltave apo e kundërrevolucionit. Ky punist i regjur është një tjetër i mbijetuar i diktaturës, i cili s’ka asnjë vështirësi të rreshtohet pa asnjë rezervë e pa pyetur për skrupuj moralë në krah të nipit të Spiro Kolekës.
Kësaj liste nuk mund t’i mungojë Dadja e Bllokut. Arta është mjaft e njohur për strukturat e diktaturës komuniste, sa ishte e martuar, ajo pat edhe mbiemrin mjaft të njohur e tani, megjithëse është shndërruar në një xhaketë të vjetër, e ka fort të lehtë t’i bashkohet barkës së restaurimit të politikës së diktaturës përmes djemve të rinj të diktaturës, por edhe Edvinit, një njohjeje që shpreson që me kohë t’i kthehet në një shpatull mirëqenieje.
Tek ky rreshtim kemi edhe një moment frojdian, teksa Fatmir Xhafaj është më besniku i të gjithëve. I shfaqur në tribunat e diktaturës, duke i dhuruar lule diktatorit Hoxha, Xhafaj veç sa e rriti angazhimin në mbijetesën e diktaturës, e në këto kohë ultramoderne, “politika e re” e restaurimit të nomenklaturës i duket aq e vjetër e aq e njohur, sa si më i riu ndër “xhaketat e vjetra”, e ka fort të vështirë të fshehë entuziazmin që e ngërthen, sa herë i duhet të shajë atdheun e vet, veç se kështu i intereson kryetarit apatrid të PS-së. E këtij kryetari ai është i vendosur t’i qendrojë besnik deri në fund, bile edhe në iu dashtë të rimarrë rolin e dhuruesit të luleve.
Në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë ishte krejt e lexueshme komanda e rreshtimit që vinte që nga diktatura, ishte zëri i restaurimit që artikulohej fort tek xhaketat e vjetra, por edhe aksioni i menduar që po rrezikon ta kthejë njëherë e mirë Partinë Socialiste në një apendiks të nomenklaturës, një kancer politik, i cili mund t’i sjellë shumë andralla kursit reformator në të cilin është futur vendi. Të gjitha “xhaketat e vjetra” të politikës së re, por së pari Edvini, janë krejt të ndërgjegjshëm për kostot, por ky është veç një mendim estetik që atyre mund t’u vijë ndërmend. Të lidhur shkurt me diktaturës, me një përvojë të fortë antikombëtare, asgjë që e dëmton Shqipërinë nuk u shkon më për shtat komunistëve. Kryetari ka dëgjuar “zëra nga lart” dhe atij i është dashur të punojë fort që të ndërtojë barkën e shpëtimit, nga theqafja ku e futi verdikti i shqiptarëve me 28 qershor. Kjo gomone janë xhaketat e vjetra dhe mbrëmë ato u rreshtuan edhe njëherë në llogore. Është një llogore që rrezikon të kryejë ndonjë kamikazllëk politik në kongresin e 29 gushtit. Dhe duke parë dëmin që mund t’i vijë kursit të reformave, ata që kërkojnë të predikojnë paktin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të partive politike e kanë gabim. Nomeklatura ka ndërtuar një llogore që po përdoret si gomone shpëtimi prej Edvinit mandatprerë dhe nëse opinioni publik qendron duarkryq, do të kemi të bëjmë sërish me një opozitë që vjen direkt nga sigurimi i shtetit dhe që do fërkojë duart sa herë reformat e kërkuara nuk do të marrin mbështetjen e ligjvënësve në parlamentin me shumicë fort të ngushtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›