E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Përmbaruesi Fatos Alimadhi donte të më ‘vidhte’ shtëpinë”

 

Fatos Mahmutaj

Përmbarimi i kryeqytetit, i mbështetur dje nga policia ka tentuar të flakë në rrugë katër familje me 16 anëtarë, bazuar mbi një vendim të Gjykatës së Apelit, i cili është ankimuar në Gjykatën e Lartë. Gjithçka, që është kthyer në një konflikt ka ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Mine Peza” pas ish-librarisë “Flora”, kur përfaqësuesi i Përmbarimit i shoqëruar nga efektivë të policisë së kryeqytetit ka shkuar për të prishur banesën e familjes Hysa. Duke shpërfillur vendimet gjyqësore dhe konfirmimin se çështja tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë përmbaruesi Fatos Alimadhi, ka tentuar të ekzekutojë vendimin, por që pas kundërshtimit të hapur nga banorët është detyruar të tërhiqet, duke caktuar se do të kthehet sërish më datë 2 shtator. Sërish duke mos u lënë kohë banorëve, të ndjekin procedurat ligjore. Rahman Hysa, njëri prej banorëve që rrezikon të mbetet pa strehë na vë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponon, madje duke vënë në dukje mangësitë e secilit prej tyre, përfshi këtu urdhrin e përmbaruesit Alimadhi për ekzekutim vullnetar, në të cilin mungon nënshkrimi i kreut të Përmbarimit të Tiranës. Pas kësaj Hysa, dha një prononcim për “Panorama”.
Kur kanë nisur problemet e familjes tuaj në lidhje me banesën?
Gjithçka ka nisur më 27 shkurt 2002, kur Sute Hysa, e cila është pronare e një trualli prej 177 metër/katrorë nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes e ka venë në dispozicion të firmës së ndërtimit “Alb–Toronto Konstruksion” për të ndërtuar një pallat sipas lejes së ndërtimit që do të miratohej nga Zyra e Urbanistikës e Bashkisë Tiranë. Hysa do të përfitonte një sipërfaqe ndërtimi sipas marrëveshjes së parashikuar në kontratë. Firma mbi këtë bazë bllokon truallin e familjes Hysa në Hipotekë, deri në afatet kur kontrata është e vlefshme. Me mbarimin e afatit të parë të kontratës, firma merr lejen e sheshit, rreth katër muaj dhe në një kohë të shpejtë merr edhe lejen e ndërtimit nga KRRT e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, firma pretendon se ka pas disa probleme me persona të ndryshëm si dhe bashkëpronarët të asaj pjesë trualli ku do të ndërtohej. Në lidhje me këtë janë zhvilluar gjyqe me disa nga pronarët që kanë pasur kontrata për arsye që ne nuk i dimë. Me mbarimin e kontratës në qershor të vitit 2006, ne i drejtohemi firmës me një kujtesë noteriale që të na lirojë truallin në hipotekë pasi donim të merrnim një kredi në bankë për disa halle tonat. Firmës i themi që për ne kontrata ka mbaruar, bazuar në afatet e përcaktuara në pikat e saj. Pas kësaj firma nuk na i zhbllokoi truallin, duke na detyruar t’i drejtohemi Hipotekës. Por edhe në Hipotekë ka ndodhur e njëjta gjë, nuk na i zhbllokuan truallin, duke na detyruar t’i drejtohemi gjykatës në qershor 2006.
Çfarë ndodhi në gjykatë?
Gjykata e Tiranës pasi e shqyrtoi çështjen mori një vendim në favorin tonë, duke rrëzuar kontratën dhe liruar truallin. Pas kësaj firma “Alb – Toronto Konstruksion” u ankua në Apel ku u rrëzua vendimi i Faktit, me argumentet se firma kishte pasur arsye që nuk kishte arritur të ndërtonte në kohën e parashikuar. Pas kësaj ne bëmë ankim në Gjykatën e Lartë, të cilin e depozituam më 19 mars të këtij viti, brenda dy javësh nga momenti i shpalljes së vendimit. Tashmë kjo gjykatë, e cila ka marrë rekursin nuk ka caktuar datë për zhvillimin e procesit, pasi praktika ka treguar se çështjet qëndrojnë edhe një vit para se të merren në shqyrtim, për shkak të ngarkesës dhe procedurave të punës në këtë institucion. Por menjëherë pas kësaj firma “Alb – Toronto Konstruksion” i drejtohet Përmbarimit për të ekzekutuar vendimin e Apelit, ndërsa koha në të cilën Përmbarimi na drejtohet neve për të zbatuar vendimin e Apelit nuk është e përshtatshme pasi nuk ka kombinim të funksionimit të institucioneve. Që dmth, tani në gusht Gjykata e Lartë është mbyllur pasi gjyqtarët dhe administrata ndodhen me lejet vjetore. Ligji na jep të drejtën neve se në momentin që na drejtohet një shkresë për ekzekutimin e këtij vendimi mund të mbrohemi, duke u ankuar brenda një afati kohor 10 deri në 15 ditë. Kur ne shkuam në Gjykatën e Lartë me kërkesën për të pezulluar urdhrin e përmbaruesit, Gjykata ishte e mbyllur dhe nuk punonte. Na thanë të paraqitemi në shtator. Për të qenë korrekt me ligjin, kërkesën ia dërguam me postë rekomande Gjykatës së Lartë dhe paralelisht të njëjtat shkresa ia nisëm edhe Përmbarimit.
Zyra e Përmbarimit i pezulloi ndërkohë procedurat?
Përkundrazi, erdhi t’i ekzekutonte në mënyrë arbitrare, nëpërmjet përmbaruesit Fatos Alimadhi, i cili për mendimin tonë ose është bashkëpronar me ta ose ka marrë para nga ata dhe bën lojën e tyre.
Juve ia paraqitet të gjithë dokumentet Përmbarimit?
Po. Të gjitha. Duke thënë se nuk keni përse të nxitoheni. Prisni 10 ditë derisa të nis puna në Gjykatën e Lartë dhe ecni ekzekutoheni nëse do të vendoset kjo gjë. Ndërsa argumenti i përmbaruesit ishte: “Unë do zbatoj vendimin”, “nuk ju dëgjoj”, “nuk ju njoh”. Ato momente është bërë një debat midis kryetarit të Përmbarimit të Tiranës dhe këtij përmbaruesi. Kryetari e merrte në telefon dhe i thoshte: “Largohu”. Ndërsa Alimadhi i thoshte: “Unë nuk largohem, do zbatoj vendimin”. Për më tepër kryetari i Përmbarimit merrte në telefon edhe shefin e rendit dhe i thoshte: “Tërhiq forcat”. Ndërsa merrte si përgjigje: “Mos më jep urdhër mua, por jepi urdhër vartësit tënd që të largohet ky i pari”. Në një moment, përmbaruesi Alimadhi refuzoi t’i fliste në telefon shefit të vet, nga celulari i shefit të Rendit. Kjo është turp! U mblodh gjithë lagjja nga rrëmuja që u bë. E zonja e shtëpisë, Sute Hysa është një grua në moshë, e sëmurë dhe veç kësaj në atë banesë që është ndërtuar në vitin 1921 jetojnë katër familje, dmth., ka njerëz të së gjitha moshave, si gra shtatzëna, fëmijë të mitur dhe të moshuar të sëmurë, të cilët u shqetësuan së tepërmi nga veprimet e nxituara të përmbaruesit Alimadhi. Atij i është kërkuar afat deri në datën 10 shtator, kur të nisë puna në gjykatë, por ai e la në datë 2 shtator në mënyrë që të mos kenë mundësi këta të sigurojnë vendimin e pezullimit. Kjo çështje është e qartë që Alimadhi ka interesa personale dhe të ngushta duke bërë një lojë të fëlliqur dhe të pistë. Kjo është e gjitha, nuk ka asgjë tjetër. Është edhe një fakt i rëndësishëm. Policia ndërtimore nuk ka qenë prezent gjatë kësaj rrëmuje që u zhvillua dje. Megjithëse ishte thirrur nga ana e Përmbarimit, ndërtimorët nuk u paraqitën të merrnin pjesë pasi kanë parë që në këtë rast kishte shkelje ligjore. Ndërtimorët e njohin mirë situatën dhe i kanë pohuar që të mos afrohej.
Kush do e prishte banesën?
Përmbarimi kishte marrë punëtorë privatë nga rruga. Por jo vetëm kaq, firma që kërkon prishjen e banesës nuk ka leje ndërtimi. Për çudi vjen Policia e Rendit për ta mbështetur, ndërsa shefi i komisariatit ndodhet në plazh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›