Qeveria jep qiranë për 15 familje
TIRANE
Qeveria preku fondin rezervë të buxhetit të shtetit, për të dëmshpërblyer 43 familje të banorëve dhe fermerëve të zonës së Gërdecit të dëmtuar nga tragjedia e 15 marsit 2008. Vendimi i djeshëm i Qeverisë është propozuar nga Ministria e Brendshme dhe ka një efekt financiar prej 6,509.400 lekë të reja. Vendimi i qeverisë prek tre kategori familjesh, të cilat në listat e përfituesve përfaqësohen me emrin e kryefamiljarit. Në pikën e parë të vendimit, thuhet së Qeveria ka vendosur dhënien e dëmshpërblimit prej 25 mijë lekësh në muaj, për pagesën e qirasë së banesës, për një periudhë 1-vjeçare, familjeve shtëpitë e të cilave, ndodheshin brenda perimetrit me rreze 300 metra nga vatra e shpërthimit, gjatë aksidentit teknologjik në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë. Më tej, vendimi vazhdon duke cituar se: familjeve që disponojnë tokë brenda perimetrit me rreze 300 metra nga vatra e shpërthimit dhe që nuk e shfrytëzojnë tokën në fjalë, u jepet masë dëmshpërblimi sipas sipërfaqes përkatëse të tokës që kanë “humbur”. Qeveria thekson në vendimin e saj se “familjeve që disponojnë sipërfaqe ullishtash brenda perimetrit me rreze 300 metër nga vatra e shpërthimit dhe që nuk i shfrytëzojnë ato si pasojë e aksidentit teknologjik të 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, u jepet masë shpërblimi sipas sipërfaqes së ullishtave që është prekur nga ngjarja. Në pikën e fundit të vendimit të Qeverisë, thuhet se Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e vitit 2009 i shtohet fondi prej 6.509.400 milionë lekë, me qëllim përballimin e shpenzimeve për dëmshpërblimin e banorëve që kanë humbur shtëpitë, dhe fermerëve që kanë humbur tokën e ullishtat. Nga listat bashkëngjitur vendimit të Qeverisë, thuhet se 15 familje i kishin banesat e tyre në rreze 300 metër nga vatra e shpërthimit. Shtëpitë e tyre u dëmtuan ndërsa të zotët vazhdojnë ende të jetojnë në banesa me qira çka kërkon shpenzim mujor për mbulimin e pagesës. Edhe familjet që kanë pasur tokë brenda rrezes 300 metra nga vatra e shpërthimit, janë 15. Ato përfitojnë dëmshpërblim sipas sipërfaqes së tokës së prekur nga ngjarja. Ndërkaq, fermerë që kanë humbur ullishtat e janë vetëm 13 familje, që përfitojnë dëmshpërblim sipas sipërfaqes së prekur nga shpërthimi.
Dëmshpërblimi
Një pjesë e banorëve të Gërdecit, shtëpitë e të cilëve ndodheshin më pranë fabrikës së çmontimit, e cila shpërtheu më 15 mars 2008, ende nuk janë kthyer në banesat e tyre. Ata janë detyruar të marrin shtëpi me qira për shkak se banesat e tyre pësuan dëmtimet më të mëdha çka ka bërë më të vështirë rindërtimin e objekteve. Pikërisht nga kjo kategori, 15 familje të Gërdecit përfitojnë me vendimin e djeshëm të Qeverisë një pagesë prej 25 mijë lekë të reja në muaj për një vit. Në relacionin e Ministrisë së Brendshme dërguar në Qeveri si propozim për vendimin e djeshëm, thuhet se banesat e 15 familjeve në fjalë u shkatërruan plotësisht nga ngjarja e Gërdecit. Më 21 maj 2008, Qeveria vendosi t’u paguajë çdo muaj nga 25 mijë lekë të reja për një vit këtyre familjeve, të cilat nuk kanë arritur ende të gjejnë strehim. Për këtë shkak Qeveria ripërsëriti dje vendimin e mëparshëm të saj për dhënie ndihme nga këtyre banorëve që u dëmtuan nga ngjarja. Më 30 korrik 2009, Bashkia e Vorës i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme fond edhe për një vit tjetër qiraje për 15 familjet, të cilat me paratë që iu dhanë në maj 2008 kishin paguar banimin deri në maj 2009. Sipas relacionit, Bashkia e Vorës ka kryer verifikime në terren nga të cilat konfirmohet se asnjë nga banorët që kishte banesën 300 metër larg vatrës së shpërthimit, nuk është kthyer në Gërdec. Ata vazhdojnë të jetojnë me qira larg vendbanimit të tyre të mëparshëm, që u shkatërrua nga shpërthimi i ndodhur në fabrikën e Mihal Delijorgjit. Është verifikuar gjithashtu edhe toka e familjeve që kanë në pronësi truall brenda kraterit, nuk ku është parë se shfrytëzimi i saj është i pamundur. Ministria e Brendshme i ka propozuar Qeverisë në relacion që për zgjidhjen e shpejtë të problemit të banorëve të Gërdecit, të cilët kanë humbur shtëpisë, vendimi i Qeverisë të hyrë në fuqi menjëherë nga miratimi i tij.
Përfitojnë 25 mijë lekë në muaj
1. Bajram Leti
2. Kujtim Halili
3. Fatos Aliu
4. Myslim Aliu
5. Muhamet Skeja
6. Astrit Skeja
7. Gëzim Skeja
8. Xhamije Skeja
9. Ruzhdi Sina
10. Hamit Sina
11. Xhabir Sina
12. Gëzim Alla
13. Uran Deliu
14. Ilirjan Deliu
15. Gentjan Deliu
Dëmshpërblimi për tokë bujqësore
1.Shefqet Aliu 900 lekë
2.Hajdar Aliu 1,500 lekë
3.Gani Aliu 2,500 lekë
4.Agim Alla 216,000 lekë
5.Ramazan Picari 240,000 lekë
6.Haki Aliu 2,000 lekë
7.Myslim Aliu 60,000 lekë
8.Bajram Leti 46,300 lekë
9.Halil Halili 20,000 lekë
10.Haki Aliu 60,000 lekë
11.Islam Aliu 60,000 lekë
12.Qerim Aliu 60,000 lekë
13.Kujtim Muka 80,000 lekë
14.Bektash Aliu 105,000 lekë
15.Ramazan Aliu 60,000 lekë
Dëmshpërblim për ullishtat në krater
1.Ibrahim Caka 73,600 lekë
2.Xheladin Koldashi 89,600 lekë
3.Petrit Alla 28,800 lekë
4.Zoje Gjikola 32,000 lekë
5.Besim Aliu 32,000 lekë
6.Deje Elqeni 48,000 lekë
7.Shaqir Gërdeci 32,000 lekë
8.Rruzhdi Sina 115,200 lekë
9.Osman Skeja 160,000 lekë
10.Kujtim Halili 70,400 lekë
11.Myslim Aliu 128,000 lekë
12.Haki Aliu 128,000 lekë
13.Asim Gërdeci 57,600 lekë