E Diel, 1 Nëntor 2026

A u “ekzekutua politikisht” Presidenti Topi!?

Agim Neza 

Vota e parlamentarëve kundër kandidaturave për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidenti i Republikës, me sa duket ka bërë që për herë të parë Presidenti Topi ta ndjejë veten një “President hije” dhe ndoshta të vlerësojë pozitivisht në heshtje rolin e ish-presidentit Moisiu.  Një sfidë e tillë ka bërë që nervat e Presidentit të Republikës të artikulohen menjëherë, duke e quajtur votimin “ekzekutim politik”. Presidenti Topi mund të gjente terma të tjerë, kjo për faktin se Ai nuk duhet të harrojë se gjatë periudhës që ka qenë Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, ka iniciuar dhe votuar “ekzekutime politike”. Madje, dihet se si u realizua zgjedhja e zotit Topi si President i Republikës, por askush nuk tha se ishte “ekzekutim politik”, megjithëse ishin votat e maxhorancës ato që e zgjodhën në poltronin e Presidentit të vendit. Në atë kohë për zotin Topi votime të tilla kanë qenë diçka normale, ndërsa tani vota e Parlamentit i duket “ekzekutim politik”?!.     
Madje, zoti Topi jep edhe argumentet se si nuk u votua një ish-anëtar i Gjykatës së Strasburgut apo një ish i persekutuar. Vlerësimi është i drejtë. Në këtë mënyrë mund të kishte vlerësuar edhe kandidaturën tjetër, gjyqtaren Altina Xhoxhaj, që padyshim është një shembull i veçantë i drejtësisë shqiptare, në këtë “katrahurë” të gjyqësorit shqiptar.
   Gjer këtu nuk ka asgjë të keqe, por zoti Topi duket se është i vonuar në Marrëdhëniet me Publikun për vlerësimin e këtyre kandidaturave. Kjo për faktin se, nëse zoti Topi do të ishte transparent duke u prononcuar më parë përpara medias me argumentet për secilin kandidat duke vlerësuar kontributin e këtyre kandidaturave, madje të kishte lançuar edhe emra të tjerë (kur dihet se kemi mjaft juristë të nderuar) dhe të tregonte arsyet e përzgjedhjes së kandidaturave të tij, dështimi nuk do të ishte kaq fatal. 
Nga ana tjetër, nëse Presidenti Topi do të ishte konsultuar qoftë edhe formalisht me krerët e partive më të mëdha në vend, me Kryetaren e Parlamentit, me Komisionin e Ligjeve, apo me përfaqësues të jurisprudencës shqiptare, atëherë nuk do të përballej me një sfidë të tillë.
Presidenti vetëm do të dëgjonte argumente për secilin kandidat dhe në fund “de facto” do të vendoste përsëri emrat që Presidenti i mendonte si figurat më dinjitoze për të qenë anëtar të Gjykatës së Lartë.
       Në këtë kuadër, Presidenti Topi duket se ka zgjedhur rrugën më të lehtë atë “të të fortit”, ashtu siç duhet të jetë një President i vendit. Por në këto kalkulime duket se zoti Topi “ka harruar” inatin dhe kryeneçësinë që mban në momente të caktuara Kryetari i PD-së, ka “harruar” se po të futi “në rrethin e Zapatës”, karriera politike merr tatëpjetën për momentin, ka “harruar” se me Kryeministrin Berisha nuk fitohet me forcë, aq më tepër që Berisha ka shumicën në Parlament, madje duke e ditur se Berisha është një mjeshtër për të triumfuar në situata të tilla.
Presidenti Topi nuk duhet të harrojë gjithashtu se në këto “muaj  mjalti” midis Berishës dhe Ramës, Ata mund të vendosin të emërojnë një President tjetër. Pra, një President si Fatos Nano, i cili do t’i shkonte për shtat të dy liderëve, Ramës për të riforcuar pozitat e tij në parti dhe Berishës për të treguar tolerancën e tij se është dakord që Presidenti të jetë i opozitës. Në këtë mënyrë situata të tilla do të zgjidheshin fare lehtë nga Nano me nga një kafe pune me Berishën dhe Ramën. (Thjeshtë dy gjyqtarë nga e majta, dy nga e djathta dhe një zgjedhje direkt e Presidentit). Në këtë aspekt, zoti Topi duhet të jetë edhe më i kujdesshëm në lëvizjet e tij politike apo në prononcimet e tij.
Nga ana tjetër, zoti Topi nuk mund të ketë gjithë pushtetin gjyqësor në dorën e tij duke emëruar prokurorë dhe  gjyqtarë sipas preferencave të tij. Të gjithë e dimë se Prokuroja e Përgjithshme u zgjodh me propozim të zotit Topi, zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u zgjodh me propozim të zotit Topi, të gjithë e dinë se emërimet e shumë prokurorëve dhe gjyqtarëve të kohëve të fundit mbajnë firmën e Presidentit Topi. Natyrisht, nuk duhet paragjykuar për këto emërime, por imagjinoni për një çast se të gjithë krerët e prokurorive dhe gjykatave të vendit të jenë të zgjedhur të Topit, shtatë vendet vakant për  anëtarët e Gjykatës së Lartë të jenë të zgjedhur të Topit, atëherë nuk mbetët gjë tjetër veçse të themi “Drejtësia e Topit”.
       E për këtë ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se, pavarësisht nga dëshira pozitive e zotit Topi për të bërë drejtësi, mbetet vetëm një utopi ideja se mund të bësh drejtësi i vetëm. Nga ana tjetër, zoti Topi besoj se e ka të qartë se sot gjyqtarët janë aq të zgjuar sa e kanë kuptuar se, pavarësisht nga mënyra se si caktohen në detyrë, Ata (Gjyqtarët) sapo emërohen mbi të gjitha kanë respektimin e ligjit dhe nëse zgjidhen me një koncensus nga të gjithë do t’i shërbejnë më mirë ligjit e drejtësisë dhe do të jenë më të pavarur nga autoritetet politike shtetërore.
Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës është përfaqësuesi i unitetit të kombit, pra në këtë rast zoti Topi duhet të jetë iniciues i proceseve të debateve dhe i kompromiseve, pavarësisht se disa i cilësojnë si dobësi, në fakt përbejnë burimin kryesor të demokracisë, kur këto kompromise dhe debate janë në funksion dhe në të mirë të qytetarit shqiptar. Në këtë mënyrë do të kemi më pak “ekzekutime politike”.
Për mendimin tim, situata të tilla krijohen për fat të keq tek ne për faktin se gjërat nuk bëhen me transparencë, e aq më tepër që bëhen me “inat” apo me “kryeneçësi”. Imagjinoni që kjo kryeneçësi të vazhdojë, pra Topi të vazhdojë të dërgojë kandidatura në Parlament pa u konsultuar, ndërsa Parlamenti t’ia refuzojë kandidaturat!? Me këtë lloj kryeneçësie, patjetër dikush do të jetë i humbur dhe do të dëgjojmë përsëri refrenin “ekzekutime politike”?
Një politikë e tillë na ka futur gjithmonë në kaos dhe zgjidhjet i gjejmë vetëm pasi kemi takuar ambasadorin amerikan ose ndonjë përfaqësues të Bashkimit Evropian!! Në një kohë që zgjidhjet mund t’i bëjmë me njëri-tjetrin, ashtu siç na mëson edhe demokracia perëndimore se: “Demokracia kërkon bashkëpunim, kompromis dhe tolerancë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›