E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohen taksat për pronën

Qeveria ka vendosur dje të dyfishojë të gjitha taksat mbi banesat. Bëhet fjalë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme, që matet në bazë të sipërfaqes së shtëpive. 

Fabiola Çela

Pjesë e vendimit ka qenë edhe taksa e tokës bujqësore. Për herë të parë, dje u vendos edhe aplikimi i taksës mbi trojet. Edhe pse i paqartë në propozimin e tij, pasi akoma nuk dihet se sa troje dhe sa para do të përfitohen nga kjo taksë, Financat kanë vendosur aplikimin e saj edhe brenda qyteteve. Gazeta boton të plotë tabelat e taksës së re, mbi pasurinë e paluajtshme. Në vendimin e qeverisë, nuk ka më ndarje sipas viteve, pra para vitit 1993 dhe pas vitit 1993. Të gjithë apartamentet do të paguajnë të njëjtën taksë, e cila nga 1 korriku i këtij viti do të jetë dy herë më e lartë se aktualisht. Këto janë taksa që mblidhen dhe administrohen nga bashkitë e komunat. Pavarësisht se qeveria i rriti ato dyfish, sipas ligjit, këshillat e bashkive dhe komunave, kanë të drejtë të aplikojnë një shtesë ose zbritje deri në 30 për qind. Pra bashkitë mund ta ulin ose ta rrisin më tej këtë taksë. Por në qeveri, jo gjithçka shkoi fjollë. Ka qenë taksa e ndikimit në infrastrukturë ajo që ka vënë përballë ministrin Ruli dhe Bode. Ministri i Financave ka propozuar dhe më pas qeveria dje e miratoi, që niveli i taksës në infrastrukturë të dyfishohet. Bëhet fjalë për taksën që paguajnë ndërtuesit e pallateve. Kjo taksë është 1-3 për qind e vlerës së investimit. Për Tiranën kjo taksë aktualisht është 2-4 për qind. Bode propozoi që taksa të bëhet 4 për qind për të gjitha qytetet dhe 6 për qind për Tiranën. Vendimi edhe pse u miratua, u kontestua nga Ruli, me logjikën më të thjeshtë ekonomike se do të ketë ndikim në rritjen e çmimeve në treg. Në debatin paraprak të miratimit të projektvendimit Ruli theksonte se, “ky projektligj parashikon rritje të madhe të nivelit të taksave vendore, e cila ndikon negativisht në zhvillimin e biznesit dhe investimeve. Edhe rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë ndikon në sektorin e ndërtimit dhe në rritjen e çmimit të shitjes së banesave”. Por, sipas Ministrisë së Financave, këto ndryshime janë kryer në bazë të analizës së tregut të çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Ndërtesa
Taksa e pasurisë në vendin tonë është trajtuar në lekë për metër katrorë, duke përgjithësuar të gjithë taksapaguesit me të vetmin përjashtim për ndërtesat e banimit, vitin e prodhimit të tyre dhe diferencimin e aktiviteteve tregtare që ushtrohen në pasuritë e taksueshme. Në nivelet e reja të propozuara të taksës mbi ndërtesën është hequr ndarja e tatimit të ndërtesave, sipas vitit të ndërtimit. Kjo për shkak të vështirësive në zbatimin praktik të ligjit me ndarjen e ndërtesave sipas vitit të ndërtimit para dhe pas vitit 1993. Ky projekt parashikon një mënyrë tjetër të përcaktimit të taksës së ndërtesës dhe konkretisht jo më ndarjen ekzistuese ‘para vitit 1993’ dhe pas ‘vitit 1993’, por me sipërfaqe në metër katrorë të ndërtesës.
Ndërsa përsa i përket taksës së re, ajo e truallit urban është një taksë e re, e cila nuk është aplikuar deri më sot në Shqipëri, por aplikohet në vende si Rumania, Italia etj. Kjo është taksa e pasurisë së paluajtshme, si taksa e ndërtesës apo ajo e tokës bujqësore. Ndërkohë duke nisur nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, taksa vjetore e regjistrimit të mjeteve të transportit rrugor do të bashkohet me taksën vjetore të qarkullimit të automjeteve.

Taksat e ndryshuara

Taksa mbi ndërtesën  (lekë/m2 në vit)

Kategoritë                Zona 1              Zona 2           Zona 3

Ndërtesë Banimi            45        24        12
Truall Urban
(deri 100m2)            23        12        6
Ndërtesë  për
tregti, shërbime            400        300        200
Të tjera                100        60        40
Ndërtesë në
fshatra turistik            400        400        400
Truall
(mbi 100m2)            18        10        5

Zona 1: Bashkia e Tiranës dhe e Durrësit
Zona 2: Bashkitë Vlorë, Fier, Pogradec, Elbasan, Lushnjë, Gjirokastër, Shkodër, Lezhë, Kavajë, Sarandë, Korçë, Berat e Kavajë
Zona 3: Të gjitha bashkitë e tjera

Shënim 1: Për Bashkinë e Tiranës për ndërtesat brenda unazës së qytetit taksa e ndërtesës është 65 lekë/m2
Shënim 2: Nivelet treguese të taksës dhënë në tabelë janë të vlefshme për ndërtesat në zonat urbane, rurale, bashkitë. Te seksioni t3 të tabelës: “Ndërtesa në pronësi apo në përdorim në territore të miratuara si fshatra turistikë”.
Shënim 3: Në zonat rurale, komunat niveli i taksës për çdo kategori minimale të ndërtesës përjashtuar seksioni 3, është sa një e dyta e nivelit tregues përkatës të kategorisë minimale të ndërtesës në bashkitë qendër, rrethi në të cilat ndodhet komuna.
 
Taksa mbi tokën bujqësore  (lekë/hektar në vit)
Kategoritë           Rrethet 1           Rrethet2            Rrethet 3        Rrethet 4

I            11200        8400        5600        2800
II            9800        7000        4200        2400
III            8400        5600        2800        2200
IV            7200        4600        2700        2000
V            6000        3800        2500        1800
VI            4800        3200        2400        1600
VII-X            3600        2800        2200        1400

Rrethet 1 janë: Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Lezhë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë

Rrethet 2 janë: Shkodër, Elbasan, Berat, Korçë, Delvinë, Kurbin, Peqin, Kuçovë

Rrethet 3 janë: Gjirokastër, Përmet, Pogradec, Librazhd, Dibër, Mat, Skrapar, Mallakastër, Devoll, Tepelenë

Rrethet 4 janë: Bulqizë, Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Gramsh, Ersekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›