E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri me granatë, katër në pranga

TEPELENE - Bien në pranga autorët e ngjarjes së dy ditëve më parë në fshatin Salari të Tepelenës, ku mbetën të plagosur gjashtë persona nga i njëjti fis. 

Policia e Gjirokastrës bën të ditur se të arrestuarit e mëngjesit të djeshëm janë vëllezërit Vullnet dhe Hadër Kërçani, 33 dhe 35 vjeç. Gjithashtu, në pranga është vënë edhe Proletar Kërçani, 35 vjeç, i cili është vëllai i të plagosurës, Bukurie Kërçani, si dhe bashkëshorti i kësaj të fundit, Admirim Dulaj. Arrestimi i tyre sipas policisë së Gjirokastrës është bërë pasi ata janë përfshirë në një konflikt të armatosur mes dy familjeve të të njëjtit fis për arsye pronësie. Mbi të arrestuarit rëndon vepra penale e "vrasjes në rrethana të cilësuara mbetur në tentativë". Ndërkaq, mësohet se gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut. Ata janë pyetur një për një në spital ku kanë pranuar se motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë është për pronësi. Rreth 300 metra katrorë tokë kullotë që ua kishte lënë një i afërm, tashmë emigrant në SHBA, ka qenë molla e sherrit ndërmjet dy fiseve. Ata nuk kanë arritur ta zgjidhin konfliktin për këtë pjesë toke, ndonëse konflikti kishte nisur disa kohë më parë. Grupi hetimor në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, ka konstatuar dëmtime të konsiderueshme materiale në banesën ku është hedhur granata difensive, si dhe gjetjen e mbeturinave të saj dhe gëzhojës së plumbit të shtënë nga arma e gjahut. Sipas policisë, më rëndë është Bukuroshe Kërçani, e cila është qëlluar me çifte nga djali i xhaxhait të saj Birbil Kërçani, jashtë banesës ku ajo jeton.                   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›