E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, rritja për të gjitha kategoritë

 

Adi Shkembi

Qeveria ka zyrtarizuar dje vendimin për rritjen e pensioneve të fshatit dhe qytetit konkretisht në masën 15 dhe 10%. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha theksoi se kjo rritje është më madhja e ndërmarrë ndonjëherë nga ndonjë qeveri në këto 17 vjet. Kështu, pas rritjes prej 10% të masës së pensioneve në qytet nuk mund të ketë pension më pak se 9515 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal nuk mund të jetë më shumë se 19.030 lekë në muaj. Ndërkohë, në relacionin e vendimit të qeverisë, thuhet se edhe pas rritjes prej 10% të pensioneve të qytetit, pensioni do të vazhdojë të marrë 150 lekë të reja si kompensim për çmimin e bukës, 350 lekë të reja në muaj si kompensim për çmimin e energjisë elektrike dhe 414 lekë të reja për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike. Lidhur me pensionet e fshatit, pas rritjes së tyre të djeshme prej 15%, pensioni minimal nuk mund të jetë më pak se 5200 lekë të reja në muaj, ndërsa personat që kanë paguar kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi përfitojnë një pension 6910 lekë të reja në muaj. “Përveç pensionit edhe këta pensionistë kur banojnë në fshat marrin çdo muaj një kompensim për çmimin e energjisë elektrike prej 200 lekë. Të gjithë pensionistët që marrin pension fshati, kur banojnë në qytet, përveç pensionit mujor do të vazhdojnë të marrin kompensim për liberalizimin e çmimit të ushqimeve 494 lekë në muaj, kompensim për rritjen e çmimit të energjisë prej 350 lekë në muaj dhe kompensim për personat në varësi ekonomike të tyre, deri në 414 lekë në muaj për çdo person si dhe kompensimin e të ardhurave sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave deri në 690 lekë në muaj”, thuhet në relacionin e vendimit të qeverisë. Nga rritja e pensioneve, e zyrtarizuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, do të përfitojnë rreth 527 mijë pensionistë, prej të cilëve 158 mijë janë pensionistë që marrin pensione fshati. Sipas qeverisë, efektet financiare për rritjen e pensioneve arrijnë në shumën 2.674 milionë lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i kontigjencës së planifikuar në buxhetin e shtetit.

Tabela e rritjes së pensioneve

1. Rritja, në masën 10 për qind, për
- pensionet e plota, të pjesshme dhe të parakohshme, të pleqërisë, pensionet për merita të veçanta dhe për vjetërsi shërbimi, pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
- pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
- shtesës mujore, të përfituar në përputhje me vendimin nr. 326, datë 21.06.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.
- pensioneve të caktuara me dekretin nr. 758, datë 01.02.1994, të Presidentit, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”, miratuar me ligjin nr. 7799, datë 24.02.1994.
2. Rritja, në masën 15 për qind, për:
- pensionet, e plota dhe të pjesshme, të pleqërisë, të pensioneve të invaliditetit dhe pensioneve familjare, të caktuara në përputhje me ligjin nr. 4976, datë 29.06.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
- pensioneve, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Rritja e pensioneve, e parashikuar në këtë vendim, të zbatohet edhe për shtesat mbi pension, të dhëna në përputhje me nenet 33, 38 e 39, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me nenin 24, të ligjit nr. 4171, datë 13.06.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
4. Rritje, sipas parashikimeve në pikat 1 e 2 të këtij vendimi, përfitojnë edhe pensionet, të cilat caktohen nga data 01.07.2008 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.06.2008, përfshirë edhe këtë datë.
5. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, që kanë datë fillimi nga 01.07.2008 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 9.515 (nëntë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë në muaj dhe më shumë se 19.030 (nëntëmbëdhjetë mijë e tridhjetë) lekë në muaj.
6. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 01.07.2008 e në vazhdim, nuk mund të caktohen më pak se 5.200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj.
7. Pensionistët, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, të caktuara sipas ligjeve nr. 4171, datë 13.09.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, edhe pas rritjes së pensionit, në masën e caktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e të ardhurave në masën e përfituar sipas vendimeve nr. 401, datë 21.06.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, dhe nr. 763, datë 27.11.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”.
8. Pensionistët, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sipas ligjit nr. 4976, datë 29.06.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, edhe pas rritjes së pensionit, në masën e caktuar në pikën 2, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e të ardhurave, në masën e përfituar nga zbatimi i vendimit nr. 17, datë 20.01.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”.
9. Kompensohen: - sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet nr. 401, datë 21.06.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, dhe nr. 763, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, pensionistët që do të përfitojnë pension të plotë pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato, të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat mujore të tyre janë deri në 11.275 lekë, ndërsa të ardhurat për pensionistët, që do të marrin pension të pjesshëm, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 1.260 lekë në muaj.
- sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimin nr. 763, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, pensionistët që do të përfitojnë pension të plotë invaliditeti apo familjar, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat e tyre mujore janë deri në 10.775 lekë, ndërsa të ardhurat për invalidët, që do të marrin pensione të pjesshme, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë minimal, por jo më shumë se 760 lekë në muaj.
- sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimin nr. 17, datë 20.01.2007 të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, pensionistët që do të përfitojnë pension të plotë pleqërie, invaliditeti ose familjar, sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim, kur të ardhurat mujore të tyre janë deri në 6.090 lekë, ndërsa të ardhurat për pensionistët, që marrin pension të pjesshëm, kompensohen në proporcion ndërmjet pensionit individual dhe pensionit të plotë, por jo më shumë se 690 lekë në muaj.

Rritja e pensioneve suplementare, vetëm 5 për qind

Qeveria ka zyrtarizuar dje vendimin për rritjen e pensioneve të fshatit dhe qytetit konkretisht në masën 15 dhe 10%.

ADI SHKEMBI

Qeveria ka miratuar dje rritjen me 5 për qind të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensioneve suplementare dhe pensioneve të invaliditetit për ish-ushtarakët dhe ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët për shkak të detyrës bëhen të paaftë. Në vendimin e miratuar nga qeveria thuhet se, “Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, me datë fillimi deri më 30.06.2008, përfshirë edhe këtë datë, të rriten në masën 5 për qind”. Ndërkohë, në relacionin e këtij vendimi thuhet se pensioni i pleqërisë që përfitohet nga ushtarakët, punonjësit e policisë, të gardës në pension, si dhe për të gjithë pensionistët e tjerë rritet në masën 10%. Në të njëjtën kohë, në këtë vendim të qeverisë janë parashikuar edhe rritja me 5% e trajtimit të veçantë financiar. Më konkretisht rritet me 5% trajtimi i veçantë financiar i pilotëve fluturues, në pension; trajtimi i veçantë financiar i efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension; trajtimi i veçantë i punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë; trajtimi i veçantë i punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake. Pas rritjes që propozohet për pensionet suplementare, një pension maksimal për vjetërsi shërbimi arrin në 18.165 lekë të reja në muaj, një pension maksimal suplementar rreth 9 mijë lekë në muaj, trajtimi i veçantë për ish-minatorët 6.400 lekë të reja në muaj, ndërsa për ish-punonjësit e industrisë ushtarake rreth 10.800 lekë në muaj. “Edhe pas kësaj rritje, këta persona, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojnë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave nga sigurimet e detyrueshme shoqërore”, thuhet në relacionin e qeverisë. Nga ky vendim parashikohet të përfitojnë 13.300 ushtarakë të forcave të armatosura, 240 pilotë fluturues dhe 125 detarë të nëndetëseve, 3660 ish-ushtarakë të Ministrisë së Rendit, Shërbimit Informativ dhe të Policisë së Shtetit, 4500 minatorë nën trajtim të veçantë dhe 850 punonjës të industrisë ushtarake. Sipas qeverisë, efektet financiare të këtij vendimi llogariten rreth 100 milionë lekë.

Rritja e pensioneve

1. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, me datë fillimi deri më 30.06.2008, përfshirë edhe këtë datë, të rriten në masën 5 për qind.

2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, të rriten në masën 5 për qind.

3. Trajtimi i veçantë financiar i pilotëve fluturues, në pension, të rritet në masën 5 për qind.

4. Trajtimi i veçantë financiar i efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension, të rritet në masën 5 për qind.

5. Trajtimi i veçantë i punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të rritet në masën 5 për qind.

6. Trajtimi i veçantë i punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake, të rritet në masën 5 për qind.

7. Rritjen në masën 5 për qind, sipas pikave 1, 2, 3, 4, 5 e 6, të këtij vendimi, do ta përfitojnë të gjitha përfitimet e caktuara në vazhdim, por me datë fillimi deri më 30.06.2008, përfshirë edhe këtë datë.

Tetraplegjikët, rritet 50% subvencioni për karburantin

Gjithashtu është përcaktuar që për invalidët e punës, duke përfshirë dhe invalidët e punës që janë para-tetraplegjikë, do të rritet masa e subvencionimit të karburantit që përdorin për mjetet lëvizëse me 50% më shumë. Pra, kjo kategori do të mbështetet me 6.000 lekë në muaj, nga 4.000 që marrin aktualisht. “Efektet financiare, prej 4.8 milionë   që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi i kontigjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2008”, thuhet në vendimin përkatës. Do të jenë Ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Pagesat e reja për të verbërit

Qeveria mori dje tre vendime, që kanë të bëjnë me indeksimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar. Me këto vendime mbështeten 57 mijë persona me aftësi të kufizuar, mendor e fizik, duke përfshirë dhe kujdestarët e tyre, që do të marrin duke filluar nga 1 korriku i këtij viti 8.700 lekë në muaj, nga 8.000 që kanë marrë deri tani, ose 10% më shumë. Veç tyre, 14 mijë të verbër dhe kujdestarët e tyre do të marrin duke filluar nga 1 korriku i këtij viti 8.700 lekë në muaj, nga 8.000 që kanë marrë deri tani, ose 10% më shumë. Ndërsa 2 mijë persona para–tetraplegjikë do të marrin, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, 8.700 lekë në muaj, nga 8.000 që kanë marrë deri tani, ose 10% më shumë. Sipas Ministrisë së Punës, për të tria vendimet janë parashikuar mbi 300 milionë lekë, që do të mbështesin këtë kategori për reduktimin e varfërisë.

Paraplegjikë, pagesat për higjienën
Rreth 2.000 para-tetraplegjikë do të mbështeten me më shumë pagesa për paketën e tyre higjieno-sanitare. Kjo paketë rritet me 33%. Pra, kjo kategori nga 1 korriku do të marrë 12.000 lekë në muaj, nga 9.000 lekë që është aktualisht. Shtesa është përcaktuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave për zbutjen e varfërisë tek kjo kategori. Efektet financiare, prej 36 milionë lekësh, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2008, në zërin “Transferta të familjeve dhe të individëve”, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Aksidentet në punë, 35% ndihmë më shumë
Invalidët e punës që vuajnë nga sëmundjet profesionale dhe të aksidentuarit në punë, do të mbështeten në mënyrë të veçantë. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, për ta  pagesa do të jetë e diferencuar në raport me invalidët e tjerë. Kjo kategori do të marrë 2.700 lekë në muaj, ose 35% më shumë se sa ato marrin aktualisht, ndërsa kategoria tjetër do të marrë 4.000 lekë në muaj, nga 3.000 që merr deri tani. Rritet pagesa për invalidët e punës që i përkasin të gjitha kategorive. Pagesa për aftësinë e kufizuar të invalidëve të punës që marrin 2.000 dhe 3.000 lekë në muaj deri tani, do të indeksohet me 10%. Pra, ato do të marrin 2.200 dhe 3.300 lekë në muaj, që nga data 1 korrik e këtij vitit.

Ndihma ekonomike, indeksim me 10%

Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, qeveria do të indeksojë për herë të parë edhe ndihmën ekonomike me 10%. Këtë bëri me dije dje Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Sipas këtij dikasteri, kjo masë do të ndikojë në zbutjen e varfërisë për familjet e varfra, duke ecur kështu në rrugën për zbatimin e objektivave të Strategjisë për Zhvillim dhe Integrim. Të gjitha paketat  që përfshihen në programet sociale të marra së bashku, do të kenë një kosto mbi gjysmë miliard lekë, dhe do të kalojnë në favor të uljes së varfërisë, të rritjes së pagesave dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës për shtresat në nevojë.

Privatizimi i ARMO-s, fitojnë amerikanët nga Teksasi

Amerikanët nga Teksasi janë shpallur fitues të tenderit për privatizimin e kompanisë së naftës ARMO. Në mbledhjen e saj të djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar raportin përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen fitues për privatizimin e kompanisë ARMO, të kompanisë “Rafinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group”. Kreu i qeverisë, Berisha, tha se ky konsorcium paraqiti një ofertë 13 herë më të lartë se 4 vjet më parë. Konkretisht firma amerikane nga Teksasi ka marrë vlerësimin maksimal si për ofertën financiare, ashtu dhe për vlerësimin teknik. Konsorciumi “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” ka ofruar 125 milionë euro për blerjen e 85 për qind të kompanisë së naftës ARMO. Vetëm pak ditë më parë, Rezart Taçi, drejtori i përgjithshëm i kompanisë amerikane nga Teksasi, ka premtuar se “nuk do të ketë asnjë largim nga puna për punonjësit e kompanisë ARMO, dhe për shkak të shkallës së investimeve që do të bëhen, do të ketë punësime të reja në staf dhe punonjës”. Madje, sipas tij, që në muajin e parë të punës nga ne, do të ketë rritje 30% të pagave për të gjithë punonjësit. Kompania ARMO është krijuar në vitin 1999 dhe kapitali i saj arrin në vlerën e rreth 43 milionë eurove. Asetet kryesore të kompanisë janë dy impiante rafinerie në Ballsh dhe Fier, të cilat janë ndërtuar rreth 40 vjet më parë. Pjesë e saj janë edhe një numër pikash të tregtimit të vendosura kryesisht në zona jo shumë të zhvilluara. ARMO është njëra prej dy kompanive shtetërore të Shqipërisë që veprojnë në sektorin e naftës dhe nënprodukteve të saj.

Adresat, tani me regjistër kombëtar
Njësitë e qeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të jenë të detyruara të krijojnë një regjistër kombëtar për adresat. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratuan disa ndryshime në ligjin “Për sistemin e adresave”, i cili detyron njësitë vendore të ngrenë strukturën për hartimin e këtij regjistri. “Çdo njësi e qeverisjes vendore krijon, përditëson dhe administron të dhënat në regjistrin vendor të adresave. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile krijon dhe administron regjistrin kombëtar të adresave. Mënyra e krijimit, administrimit të regjistrave vendorë dhe e regjistrit kombëtar të adresave, si dhe rregullat e shfrytëzimit të sistemit e të rrjetit informatik përcaktohet me VKM brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, thuhet në amendimet që janë miratuar dje për ligjin për sistemin e adresave. Në relacionin e këtij vendimi thuhet se, “Për herë të parë ky projektligj sanksionon krijimin dhe mirëmbajtjen e regjistrit vendor dhe kombëtar të adresave, duke parashikuar rregulla të përgjithshme lidhur me kompetencat e njësive të qeverisjes vendore dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile”. Në nenin 6 të këtij pr.ligji është theksuar që tabelat për emërimin dhe numërimin do të jenë standarde për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. “Kjo ndërhyrje është parë e arsyeshme, pasi në ligjin aktual duket sikur çdo njësi e qeverisjes vendore ka të drejtë të përcaktojë specifikime teknike të tabelave në mënyrë të pavarur”, thuhet më tej në relacion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›