E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemia nga uji, 90 vetë në spital

Epidemia nga uji i ndotur pushton Poliçanin. Që nga pasditja e së martës e gjatë ditës së djeshme, 90 persona i janë drejtuar qendrës shëndetësore në gjendje të rëndë, për të marrë mjekimin. 

POLIÇAN / DILAVER XHELILI

Ata kanë paraqitur çrregullime gastro-intenstinale, (të vjella dhe diarre), duke e bërë situatën të papërballueshme për mjekët e Poliçanit. Pesë pacientë janë shtruar dje në mbrëmje në spitalin e Beratit, për shkak të shëndetit të përkeqësuar. Situata alarmante ka bërë që Ministria e Shëndetësisë dhe organet e specializuara në Qarkun e Beratit të nisin punën për të kryer analizat që do të nxjerrin shkakun e epidemisë masive. Nga shenjat e pacientëve dyshohet për ndotjen e ujit të pijshëm nga ujërat e zeza, si pasojë e amortizimit të tubacioneve. Sipas të dhënave të vetë pacientëve dhe mjekëve të Poliçanit, personat që kërkuan ndihmën e tyre janë nga tri lagje të qytetit si dhe nga fshatrat që furnizohen nga i njëjti tubacion, Plirëz e Mbrakull. Burimi kryesor i ujit është ai i Bogovës, por megjithë pastërtinë e tij gjatë rrugës deri në shtëpitë e banorëve duket se tubacionet janë mbuluar nga ato të ujërave të zeza. Shqetësimet e njëjta dhe numri i shumtë i të prekurve ka bërë që specialistët të dyshojnë se pikërisht uji ka krijuar epideminë. Fillimisht, pacientët, pjesa më e madhe në moshë të rritur, i janë drejtuar qendrës shëndetësore të Poliçanit, ku janë trajtuar me serume e medikamente të nevojshme për t'u ndalur të vjellat e diarrenë. Një pjesë e tyre janë kthyer në shtëpi, të tjerë kanë vazhduar të trajtohen në qendër, ndërsa për ata më rëndë është bërë transportimi drejt spitalit të Beratit, në pavijonin infektiv të tij. Mësohet se përgjigjja e analizave mbi shkakun e epidemisë të mbërrin pas më shumë se 24 orësh, ndërkohë që stafi i përforcuar mjekësor në Poliçan ka marrë masa për të përballuar një fluks në rritje të të prekurve. Drejtues të Bashkisë së Poliçanit kanë njoftuar menjëherë nëpërmjet mediave lokale që qytetarët të ndërpresin urgjentisht konsumimin e ujit nga çezmat e shtëpive të tyre, deri në një njoftim të dytë. Sipas burimeve nga ky qytet numri i personave që ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore, deri në orën 20:00 të mbrëmjes ka arritur në rreth 90 persona. Në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore është bërë dhe mjekimi dhe është vendosur për shtrimin ose jo të tyre. Një muaj e njëjta situatë e rëndë përfshiu Qarkun e Beratit, pas ndotjes së ujit në Urën Vajgurore, ku ende nuk është dhënë zgjidhje për shqetësimin e qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›