A u kurdis Nobeli?

Në bastoren britanike Ladbrokers deri në ditën e enjte si favorit kryesor për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsi figuronte emri i poetit 81-vjeçar me sirian me prejardhje nga Libani, Adonis, e pas tij radhitej poeti suedez, Tomas Transtromer.
Vetëm pak orë para shpalljes zyrtare të fituesit (të enjten) suedezi përnjëherë u shndërrua në favoritin kryesor, ndërkohë që basti i vendosur në emrin e tij brenda natës – fjalëpërfjalshëm – u bë garanci për një fitim të majmë nëpër bastore. Se këtu diçka nuk ishte në rregull nënvizuan edhe mediat, kështu që Departamentit për Luftë kundër Korrupsionit, brenda Prokurorisë së Suedisë, vendosi t’i hetojë këto dyshime.
"Duket se pak kohë para shpalljes së fituesit inflacioni disi rrodhi jashtë”, tha shefi i Departamentit, Alf Johannsson.
Dyshimet bëhen edhe më të mëdha nëse merret parasysh se për emrin e Tomas Transtromer shumëkush dëgjoi për herë të parë tek pas shpalljes së tij për fitues të Çmimit Nobel për Letërsi.
Shembujt e dyshimtë nga e kaluara
Shefi i Zyrës së Akademisë së Suedisë, Odd Zschiedrich, deklaroi se përveç 18 anëtarëve të Akademisë ishin vetëm pesë të punësuar të tjerë në Akademi që e dinin emrin e fituesit të sivjetmë të Nobelit për Letërsi para se ai të bëhej zyrtarisht publik. Madje nga Akademia vazhdojnë të këmbëngulin se kjo informatë nuk rrodhi prej tyre.
"Ne as që do ta verifikojmë fare këtë dyshim”, deklaroi në mënyrë demonstrative shefi i Jurisë, Peter Englund, për gazetën ditore suedeze ‘Expressen’.
Po, kjo nuk është hera e parë që zhvillimi i ngjarjeve nëpër bastore vetëm pak orë para shpalljes zyrtare të emrit fitues të Çmimit Nobel për Letërsi të nxitë reagime.
Ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2008, me francezin Jean-Marie Gustave Clezi, edhe pse një hetim intern i asokohshëm nuk tregoi se pati ndonjë keqpërdorim. Vetëm një vit më vonë - në vitin 2009 - edhe emri i shkrimtares relativisht të panjohur gjermane, Herta Muller, arriti të futej në rrethin e ngushtë të favoritëve pak para finishit të garës.