AAK: Haradinaj do të shpallet i pafajshëm

Sot, në ora 14:15, në Tribunalin e Hagës mbahet Konferenca Paragjyqësore për ish-Komandantin e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj. Ndërkaq nesër, po në të njëjtën kohë, fillon rigjykimi i tyre me deklaratat hyrëse të prokurorëve si dhe të avokatëve mbrojtës. Rigjykimi vazhdon edhe të premten. Secila nga këto tri seanca është paraparë të zgjas rreth pesë orë, thuhet në ueb-faqen zyrtare të Tribunalit të Hagës.
Haradinajt Brahimaj Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara. Pritja e këtillë e gjatë, ka bërë që në AAK të përcjellin me shqetësim përgatitjet për nisjen e këtij rigjykimi të pjesshëm.
“Këtë vjeshtë bëhen shtatë vjet të plota që prej se Ramush Haradinaj është peng i një procesi që ende nuk ka marrë fund. Është shumë për një njeri dhe shumë për një politikë dhe për një shoqëri”, thuhet në kumtesën për shtyp të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës.
Ramush Haradinaj, njëra prej figurave kyçe në bërjen e Kosovës vend të lirë dhe shtet të pavarur, për shkak të gjitha ngjarjeve që lidhen me Tribunalin e Hagës, në shtatë vitet e kaluara nuk ka pas mundësi të kontribuojë sa duhet në shtetin e Kosovës.
“Mungesa e tij në politikën kosovare po vërehet gjithnjë e më shumë. Kthimi i tij në Kosovë, shpresojmë në vjeshtën e këtij viti, do të shënojë hapin e parë, kyç gjithsesi, në kthesën e madhe politike për Kosovën”, thuhet në kumtesë.
AAK është e sigurt që drejtësia do të ngadhënjejë edhe një herë dhe që Ramush Haradinaj do të shpallet sërish i pafajshëm në Tribunalin e Hagës.
“Jemi të bindur që Ramush Haradinaj do t’iu bashkohet së shpejti qytetarëve të Kosovës, AAK-së, politikës kosovare, për ta ndryshuar rrënjësisht gjendjen në shtetin e Kosovës”.