E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: Qeveria, bisedime sekrete me Serbinë; Thaçi: Qesharake



Opozita në Kosovë ka akuzuar Qeverinë se ka nisur bisedimet sekrete me Serbinë, pa detajuar se mbi çfarë temash po diskutohet. Deklaratën e ka bërë Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. “Kemi informata se Qeveria e Kosovës është duke mbajtur bisedime sekrete me Serbinë, gjë e cila do t’i humbte kuptimin çdo lloj bisedimi që do të organizohej më vonë”, - akuzoi nënkryetari i AAK-së, Adrian Gjini. Ai ka paralajmëruar Kryeministrin Thaçi që të tregohet më i kujdesshëm kur kërkon fundin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe largimin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë. “Pa integrimin e veriut të Kosovës nuk duhet të bëhen deklarime të tilla”, - theksoi Gjini. Por Thaçi menjëherë i përgënjeshtroi këto deklarata duke i quajtur qesharake. “Unë siguroj dhe garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës, se po ashtu edhe në Asamblenë e Përgjithshme do të kemi një lajm të mirë për Kosovën dhe nuk do të kemi më tutje apo deklarata qesharake”, - tha Thaçi. Ai ka kujtuar sukseset e fundit të Kosovës, ndërkohë që përgënjeshtronte AAK-në. “Fitorja historike e Qeverisë, diplomacisë, institucioneve dhe popullit të Kosovës në GJND, është një fitore që duhet t’i gëzohet secili. Prandaj, është një fitore e gjithë shtetit të Kosovës, e gjithë popullit të Kosovës, e miqve, e partnerëve ndërkombëtarë”, - tha ai. Thaçi shtoi se institucionet e Kosovës nuk do të kursejnë asnjë mjet për të dëshmuar pafajësinë e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Hagë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›