Muaji i Ramazanit/ Futbollistët e ekipit përfaqësues që ndjekin ritet fetare Ja lojtarët e Kombëtares shqiptare që agjërojnë “Myslimanët e devotshëm”, nga Cana, Curri e Beqaj, te Hyka dhe Vrapi
Muaji i shenjtë i Ramazanit ka trokitur edhe në Kombëtaren shqiptare. Natyrisht, duke qenë në vetëm disa orë para ndeshjes ndaj Uzbekistanit, asnjë nga kuqezinjtë e grumbulluar nga trajneri Josip Kuzhe për këtë miqësore nuk ka agjëruar. Por i sigurt është fakti se të paktën pesë prej tyre, po të kishin pasur mundësi do ta kishin bërë një gjë të tillë. Lorik Cana, Jahmir Hyka, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Endri Vrapi janë futbollistët kuqezinj që njihen jo vetëm si besimtarë të devotshëm, por edhe praktikues hera-herës të fesë myslimane.
Endri Vrapi – është ndoshta një prej besimtarëve më të rregullt dhe fanatikë që ka në gjirin e vet sot për sot Kombëtarja shqiptare. Futbollisti nuk ka hezituar që së fundmi të lëshojë edhe një urim në portalin social “Facebook” për një agjërim të lehtë për të gjithë myslimanët shqiptarë dhe jo vetëm.
Jahmir Hyka - Prania e tij thuajse çdo të premte në xhaminë e Ethem Beut në qendër të Tiranës gjatë kohës kur luante për ekipin e Tiranës, shihej si një risi të cilën rrallëherë e takoje tek të rinjtë futbollistë, përgjithësisht në Shqipëri.
Lorik Cana - Lajmi para disa vjetësh se ai ishte një besimtar, praktikant i fesë myslimane bëri jo pak bujë, jo vetëm në mediat franceze, por edhe shqiptare. Madje, në një intervistë para dy vitesh në emisionin “Opinion +” të Blendi Fevziut, Cana pati deklaruar se shpeshherë falej në dhomat e zhveshjes.
Debatik Curri - Edhe mbrojtësi kosovar njihet si mysliman i thekur. Ai i ka ndjekur me përpikmëri ritet fetare në Ukrainën e largët dhe me kalimin së fundmi në Kampionatin turk tek Gençerbiligi (në Turqi, vend me 99 për qind myslimanë). Duket se mbajtja e agjërimit për të do të jetë edhe më e lehtë. Në të njëjtën linjë janë edhe portieri veteran, Arian Beqaj dhe mbrojtësi, Armend Dallku.