Rrëshqitjet e dheut në Kinë, dyfishohet bilanci i viktimave
Nga rrëshqitjet e tokës në veri-perëndim të Kinës, pas shirave të rrëmbyeshëm e të pazakontë, numri i viktimave është dyfishuar që nga një ditë më parë dhe ai rrezikon të shtohet sërish, pasi ka mbi 2 mijë të zhdukur. Këto rezultuan rrëshqitjet e dheut më vdekjeprurëse gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Fshatra të tërë u goditën nga masa të mëdha lluci, të cilat kanë hedhur në tokë edhe ndërtesa 7-katëshe. Korrespondenti i BBC-së, Chris Hogg nga provinca Gansu, tha se skuadrat e shpëtimit po kërkojnë me duar në rrënojat e shtëpive në rajonin malor, ku mungon edhe energjia elektrike,ndërkohë që edhe infrastruktura është shkatërruar. Autoritetet në Kinë deklarojnë se u kanë bërë thirrje skuadrave që të vazhdojnë kërkimet deri sa të gjejnë të mbijetuarin e fundit. Gjasat për të gjetur ende njerëz të gjallë nën rrënoja janë shumë të pakta, pothuajse të pamundura.