E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: Vendimi për Haradinajn, lajm i keq për Kosovën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur tejemase e befasur me vendimin e Dhomës së Apelit për kryetarin e tyre, Ramush Haradinaj. Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, i cili e quajti vendimin e sotëm lajm të keq për Kosovën, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp se ashtu si në marsin e vitit 2005, kur u shpall Aktakuza e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, edhe tani, në korrikun, Kosova përballet me sprova të mëdha politike dhe të sigurisë. Shala tha se AAK është e bindur se proceset politike në Kosovë, madje dhe ato që pasojnë shpalljen e qëndrimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, do të dëmtohen thelbësisht.

“Lajmi për rihapjen e pjesëshme të gjykimit të Ramush Haradinajt, Kryetarit të AAK-së, është një lajm shumë i keq për AAK, për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës. AAK është tejmase e befasuar me vendimin e Tribunalit të Hagës, veçmas kur dihet që me një vendim unanim të Shkallës së Parë të këtij Tribunali, më 3 prill 2008, Haradinaj është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave”, u shpreh Blerim Shala, Nënkryetar i AAK-së.

AAK ka ftuar qytetarët e Kosovës, e mbështetësit e Haradinajt të tregohen të matur në reagimin e tyre, në këtë kohë mjaft të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. “AAK fton qytetarët e Kosovës që të tregohen të matur dhe të pjekur si edhe herave të tjera, kur Kryetari i AAK-së, me shembullin e vet personal, ka treguar se si duhet të sillemi kur përballemi me sprovat e tilla. Këtë ia kemi borxh Ramush Haradinajt", vijoi Shala. Ai tha se AAK është e sigurtë që si herën e parë, ashtu edhe tani Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK-së, do të shpallet plotësisht i pafajshëm.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›