E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj sërish në Hagë, avokati: Do e kthejmë në shtëpi

(UPDATE) Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish Jugosllavi gjatë seancës së apelit ka urdhëruar rihapjen e cështjes e rigjykim për ish kryeministrin Ramush Haradinaj. Vendimi i Apelit vjen dy vjet pasi ai u shpall i pafajshëm për akuzat për vrasje, përdhunim e torturë . Sipas kreut të gjykatës Patrick Robinson gjyqi kundër Haradinaj dhe dy ish komandantëve të tjerë të UCKsë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ishte cënuar nga kërcënimet e intimidimi i dëshmitarëve. Robinson deklaroi se gjykata nuk arriti të vlerësonte rëndësinë e këtyre kërcënimeve.

Fillimisht gjykatësit hodhën posht akuzat kundër ish kryeministrit për mungesë provash. Në sallën e gjyqit munguan emocionet, ndërsa Robinson urdhëronte rigjykim. Sipas Robinsonit gjykata nuk kishte arritur të merrte masa adekuate për të garantuar dëshmitë e personave të caktuar. Gjykata e Apelit urdhëroi ndalimin e Ramush Haradinaj, Idriz Balaj, dhe Lahi Brahimaj në njësinë e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë ku do të qëndrojnë deri në një vendim tjetër. Në prillin e vitit 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat kundër tyre, ndërsa Brahimaj u shpall fajtor për trajtim mizor dhe torturë, dhe u dënua me gjashtë vjet në burg.

Atij iu mundësua lirim i përkohshëm në majin e vitit 2009, por u urdhërua të kthehej në Hagë për vendimin e Apeleve. Gjatë seancave dëgjimore të Apelit të tetorit të vitit 2009, prokurorët kërkuan një rigjykim, duke pretenduar se frikësimi i dyshimtarëve ka “infektuar” gjyqin, duke e bërë të pamundur për ta paraqitjen e rastit të tyre në mënyrë të efektshme.

Michael O’Reilly, Koordinator i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e z. Ramush Haradinaj pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Hagës përmes një deklaratye për shtyp bërti të ditur se Ekipi Mbrojtës i Haradinaj është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm, i cili ishte i paparashikueshëm duke pasur parasysh lirimin e tij me vendim unanim para dy viteve. Ai shtoi se vetë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka konfirmuar se çështja më me rëndësi sot është opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës. Duhet të garantohet ecja e Kosovës tutje në procesin e integrimit në bashkësinë e kombeve. Ndërsa për ekipin mbrojtës përparësi do të ketë kthimi i shpejtë i Haradinaj në Kosovë dhe caktimi sa më shpejt i datës së rigjykimit.

Delina Bitraku Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 21 korrik 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›