Mbi 85 kg drogë Lazarati në Tiranë, pranga dy durrsakëve
Policia e Tiranës, me anë të operacionit të koduar “Vora”, ka sekuestruar 85 kg kanabis dhe ka arrestuar dy persona. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka theksuar se janë arrestuar shtetasit Elert Latifi, 20 vjeç dhe Rigers Kaja, 22 vjeç, të cilët u kapën në kryqëzimin e Vorës, gjatë një operacioni të policisë. Sipas Vocajt, dy të arrestuarit kanë bërë rezistencë gjatë arrestimit. Policia shpjegoi se droga vinte nga Lazarati dhe kishte si destinacion Tiranën e Durrësin dhe do të shpërndahej në lokalet e natës gjatë verës.
Në deklaratën para mediave, drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, deklaroi se nga seksioni kundër narkotikëve, në bashkëpunim me sektorin e forcave të posaçme, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Vora II”, u arrit sekuestrimi i një sasie prej 85 kg lëndësh narkotike, e dyshuar marijuanë. “Falë organizimit të këtij operacioni, u arrit të kapen dhe arrestohen në flagrancë shtetasit Elert Novruz Latifi, 20 vjeç, lindur e banues në Shijak dhe Rigels Agron Kaja, 22 vjeç, lindur e banues në Durrës.
Këta persona u kapën në kryqëzimin e Vorës, rrugës që të sjell për në Tiranë, pas një hetimi përreth 3 muaj, i organizuar mbi investigimin e seksionit të antidrogës, me metoda speciale të hetimit”, deklaroi Vocaj. Më tej, ai shpjegoi se gjatë operacionit për kapjen e tyre, shtetasit kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, duke tentuar të largohen me shpejtësi, me automjetin tip “Mercedes Benz” me targa të huaja dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë. Pas një ndjekjeje përreth 15 minuta, forcat e sektorit të operacioneve speciale bënë të mundur bllokimin e automjetit, si dhe sekuestrimin e sasisë rreth 85 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.
Më tej, kreu i policisë kryeqytetase vuri në dukje se gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Rigels Kaja u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe një automatik tip “Kallashnikov”. Nga hetimet e kryera deri më tani, lënda narkotike vinte nga fshati i Lazaratit, me destinacion qytetet e Durrësit dhe të Tiranës, e cila më pas do të përdorej për t’u shpërndarë gjatë sezonit turistik veror.
“Ky operacion është vazhdim i operacioneve të tjera të sektorit kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe është rezultat i drejtpërdrejtë i disiplinës operacionale, të sektorit të operacioneve speciale të sapotrajnuar nga forcat RENEA”, deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë linjë të trafikut të drogës brenda vendit. Sipas të dhënave, të arrestuarit do të sillnin drogën për disa blerës në Tiranë, por falë informacioneve të marra nga policia, aktiviteti i tyre është prerë në mes, pasi janë arrestuar nga policia. Sipas të dhënave, operacioni “Vora II” është vazhdim i operacionit të realizuar rreth tre muaj më parë, ku u sekuestruan 100 kg kanabis dhe u arrestuan pesë persona. Pikërisht më 22 prill të këtij viti, u arrestuan Gëzim Kadri Pirra, 28 vjeç, Leonard Vrenoz Zhana, 31 vjeç, Shkëlqim Taf Kuqi, 34 vjeç, Kujtim Musa Lloti, 40 vjeç, dhe Kujtim Asllan Kuqi, 37 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 100 kg kanabis. Madje, në operacionin e parë, të dyshuarit kundërshtuan me armë policinë. Ata e kishin lënë vendin e shkëmbimit të lëndës narkotike në Vorë, por më pas e ndryshuan dhe e dërguan në Thumanë. Atje u përplasën me policinë dhe tentuan të arratisen, ku u dëmtua edhe një punonjës policie, por në përfundim u arrestuan për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.
#