AAK dënon sulmet e kriminelëve serbë ndaj KFOR-it në Jarinjë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka dënuar fuqishëm sulmet e organizuara të bandave serbe ndaj ushtarëve amerikanë të KFOR-it, në pikën kufitare në Jarinjë, gjatë ditës së sotme.
AAK nëpërmjet komunikate të lëshuar për media, konsideron se këto janë sulme kundër paqes, stabilitetit dhe vetë shtetit të Kosovës, kundër të ardhmes së përbashkët të të gjithëve atyre që jetojnë në vendin tonë.
Duke i falënderuar për detyrën e rëndësishme dhe angazhimin në funksion të paqes dhe stabilitetit në mbarë vendin, AAK iu uron shërim sa më të shpejtë dhe të plotë ushtarëve të lënduar amerikanë të KFRO-it, në zhvillimet e sotme në veri.
Më tutje, AAK vlerëson se rendi, ligji dhe kushtetutshmëria duhet shtrirë në mbarë territorin e Kosovës dhe i inkurajon mekanizmat kompetentë dhe institucionet që ta çojnë deri në fund operacionin e tyre.
“Krimi dhe kriminelët, të çfarëdo përkatësie etnike qofshin ata, nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe në shtetit demokratik të Kosovës, të cilin po e ndërtojmë të gjithë bashkërisht”, thuhet në komunikatën e AAK-së.