E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampioni kthen vetëbesimin

Pika e marrë në Gjakovë e ka kthyer vetëbesimin te skuadra e Hysit. Edhe pse nuk kanë shënuar fitore në tri xhirot e fundit, llapjanët janë të bindur se gjërat do të ndryshojnë pas barazimit me Vëllaznimin. Trajneri Fadil Ademi insiston se skuadrës nga Merdara po i mungojnë vetëm rezultatet. Ai beson se shumë shpejt Hysi do të gjendet në pjesën e epërme të tabelës. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 27 shtator 2011 në ora 13:15

Barazimi me Vëllaznimin e ka motivuar skuadrën e Hysit. Skuadra llapjane nuk e ka nisur mirë sezonin e ri, mirëpo pika e nxjerrë në Gjakovë e ka kthyer vetëbesimin te kampioni aktual i Kosovës.

Trajneri Fadil Ademi e pranon se deri tash punët nuk shkuan siç e kishte paramenduar, por ai beson se shumë shpejt do të kthehet stabiliteti te skuadra nga Merdara. Ai është i kënaqur me lojën që po e shfaq ekipi i tij, por ankohet në efikasitetin e fazës ofanzive, pasi që ekipi llapjan pati numër të varfër golash të realizuara në ndeshjet e fundit.

“Nuk po luajmë dobët, por kemi mungesë rezultatesh. Me Prishtinën luajtëm mjaft mirë, me Drenicën gjithashtu ishim të mirë, por edhe me Dritën. Por, na mungoi efikasiteti në fazën ofanzive. Nuk jemi në formë të mirë në sulm. Kurse në Gjakovë e kishim lojën në dorë, por në fund pranuam gol”, deklaroi Ademi për Express.

Ai është optimist se bardhezinjtë do të shënojnë fitore në dy ndeshjet e radhës, ndaj Trepçës ’89 dhe Lepencit në shtëpi, për ta përmirësuar imazhin në tabelë. Pjesa e epërme e tabelës është synim primar i Hysit, njëjtë si vitin e kaluar.

“Ndeshja në Gjakovë na ktheu vetëbesimin. Besoj se do të dalim mirë edhe nga dy ndeshjet e ardhshme. Të gjithë lojtarët që futen në fushë duhet ta japin maksimumin. Synojmë të ngritemi sa më lart në tabelë, që është edhe objektiv i yni. Natyrisht, nëse na krijohen mundësitë, do të tentojmë edhe vetë titullin”, vazhdoi ish futbollisti i njohur kosovar.

Edhe pse skuadra e tij në tri ndeshjet e fundit nuk e shijoi fitoren: humbi me Drenicën 3:0, humbi me Dritën 1:2 dhe barazoi me Vëllaznimin, 1:1, Ademi e ka besimin e plotë të kryesisë.

“Deri tash çdo gjë është në rregull, kryesia ka besim tek unë. Unë kam luajtur në këtë ekip dhe kam punuar që dy vjet në shtabin teknik. E dua këtë ekip dhe nëse është nevoja, për të mirën e klubit nuk do ta kisha problem edhe nëse largohem. Klubi është mbi të gjitha”, përfundoi Ademi.

Hysi gjendet në pozitën e shtatë në tabelën e klasifikimit në Superligë me 7 pikë të tubuara, prej tyre 2 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje.

Vëllaznimi ankohet në gjyqtar

Vëllaznimi është një tjetër ekip që nuk ka shënuar fitore në tri ndeshjet e fundit. Gjakovarët barazuan pikërisht me Hysin të dielën, 1:1. Mirëpo, kuqezinjtë kanë reaguar dhe janë ankuar në gjyqtarin e ndeshjes, Albert Kastrati, pasi, sipas tyre, ai nuk ishte në nivel të detyrës. Sipas tyre, ky gjyqtar ndikoi në rezultat dhe se e tensionoi situatën në stadiumin e stërmbushur në Gjakovë.

“Gjyqtari Albert Kastrati bëri çmos që t’i provokojë futbollistët (veçmas ata të Vëllaznimit) dhe shikuesit prezentë, me një fjalë që ta prishë këtë ndeshje. Fatkeqësisht këtij qëllimi ia arriti në masë të madhe. Me vendimet e tij, gjyqtari Kastrati ndikoi drejtpërdrejt në arritjen e rezultatit që e synonte – barazimit”, shkruan në reagimin e klubit gjakovar drejtuar Federatës së Futbollit të Kosovës.

Duke i pasur të gjitha këto parasysh, Vëllaznimi kërkon nga Komisioni i gjyqtarëve dhe Komisioni për delegimin e gjyqtarëve që në të ardhmen, në ndeshjet e këtij klubi, të mos e delegojnë gjyqtarin Albert Kastrati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›