E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK-ja, me kandidatin për zgjedhjet e Kaçanikut

Aleanca për Ardhmërinë Kosovës, ka nominuar, Tahir Çakën, kandidat për kryetar të komunë së Kaçanikut, për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 17 qershor në këtë komunë. Drejtuesit e AAK-së , kanë shprehur bindjen se kandidati i tyre do të triumfoj në këto zgjedhje, ngase posedon përvojë dhe profesionalizëm.

Në një konferencë për media, të martën, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, pasi që ka prezantuar kandidatin e AAK-së, Tahir Çaka për zgjedhjet e Kaçanikut, ka theksuar se kandidati i AAK-së, për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 17 qershor në komunën e Kaçanikut, ka kapacitet dhe potencial të udhëheq këtë komunë, duke pasur parasysh përvojën dhe bagazhin e tij profesional.

“Duke konsideruar në kapacitete dhe mundësitë që i ka zoti Tahir Çaka, ne e kandidojmë, duke besuar në fitoren e tij dhe duke i dhënë përkrahje të fuqishme që nga niveli komunal në Kaçanik dhe në nivelin qendror të AAK-së, nga kryesia e Aleancës dhe nga ish kryeministri Haradinaj”, ka thënë Isufi.

Ndërkaq, i nominuari i AAK-së, për zgjedhjet në Kaçanik, Tahir Çaka, ka premtuar se nëse del triumfues në zgjedhjet e 17 qershorit, do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në komunën e Kaçanikut. Ai tha se me kënaqësi ka pranuar që të jetë i nominuar për këto zgjedhje. Sipas tij, është e dhimbshme mbajtja e zgjedhjeve të Kaçanikut, por siç është shprehur ai, një gjë e tillë ka qenë e ditur se do të ndodhë herët apo vonë.

“Shumë çka është në anën time, unë mendoj se do t’i fitoj zgjedhjet. E kam përvojën, bagazhin politik, ekonomik, patriotik dhe qytetari i Kaçanikut është i bindur se me Tahir Çakën, komuna mund të shkoj përpara, mund të del nga ky shtetrrethim të cilin e kishim deri më sot, dhe këta qytetarë e dinë se Tahir Çaka, skajshmërisht e lufton korrupsionin. Në komunën e Kaçanikut nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë krim të organizuar. Mirëpo, do të merr frymë lirshëm qytetari”, ka thënë Çaka.

Në po të njëjtën konferencë, gjithashtu u tha se AAK-ja në zgjedhjet për kryetar të Kaçanikut, do të del pa ndonjë koalicion parazgjedhor.

Përndryshe, kandidati i AAK-së, Tahir Çaka, është kryetar aktual i Degës së AAK-së në Kaçanik. Çaka, për një kohë, pas luftës ka qenë edhe kryetari i Kaçanikut. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 17 qershor, ai pretendon që të marrë serish pozitën e të parit të komunës së Kaçanikut./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›