AAK kërkon hapa konkret në veri

Gjithashtu AAK, ka kritikuar komunën e Prishtinës për dështimin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, pas reshjeve të borës, gjatë këtyre ditëve.
Në një konferencë të mbajtur për media të premten, anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se më 31 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën, e cila ndër të tjera synon përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.
Sipas tij, duke pas për bazë veprimin e shpejt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërmarrjen e hapave konkretë drejt integrimit të veriut të Kosovës dhe konsolidimit të pushtetit lokal atje.
“AAK konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj që si pjesë e pakos së përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike në komunat e veriore të Republikës së Kosovës dhe që sa më shpejt të përcaktohet data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në mënyrë që të dalin institucionet demokratike dhe legjitime atje”, ka thënë Tahiri.
Për më tepër, ai ka shtuar se opinioni është në dijeni se që nga pranvera e vitit 2008, e më tutje në vitin 2009, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së në vazhdimësi ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ketë një strategji integruese për atë pjesë të Kosovës, me një kurs të qartë dhe me veprime konkrete sa i përket integrimit të plotë në juridiksionin e vendit tonë.
Tahiri ka thënë se AAK-së i vjen mirë që me vonesa të shumta, Qeveria e Kosovës e ka kuptuar se për integrimin e veriut të Kosovës duhet të ketë një strategji integruese.
Në këtë aspekt, në kuadër të strategjisë dhe kursit të veprimeve që qeveria duhet të i merr për atë pjesë të Kosovës, AAK ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmerren: veprime politike dhe demokratike që përmes zgjedhjeve të krijohen institucionet e pushtetit lokal dhe të ushtrohen përgjegjësit kushtetuese dhe ligjore që i ka një komunë.
Për AAK-në pocesi i themelimit të komunës së re, konsolidimit të institucioneve demokratike atje duhet të jetë në vijë prioritare, pasi që me përfundimin e mbikëqyrjes është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo të ndodh me kohë dhe të jetë pjesë integruese.
E dyta ka të bëjë me pjesën fiskale dhe me pjesën investuese që do të shtrinte shërbimet publike në atë pjesë dhe e treta ka të bëjë me sundimin e ligjit që do të rregullonte rendin qytetar në atë pjesë.
Tahiri ka thënë se këtë vit do të ketë edhe një vlerësim për rrjedhën e reformës së pushtetit lokal dhe decentralizimit në Kosovë. Sipas tij, edhe pse ka pas veprime pozitive në fushën e decentralizimit, veriu i Kosovës, mund të nxjerrë një vlerësim negativ, pasi që atje nuk ka pas përparim.
Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, dokumenti i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës janë dokumentet jetike për veriun e vendit.
“Për AAK-në, oferta përmes dokumentit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës është korniza e vetme që AAK e mbështet sa i përket çështjes së veriut. Është jetike që debati rreth pushtetit lokal, rreth qeverisjes lokale të kaloj nga niveli politik në atë zhvillimor. Ne jemi duke paguar një çmim shumë të madh që nuk po mund të dalim nga debati politik të marrjes së përgjegjësive që duhet të krijonte mirëqenien në pushtet lokal”, ka deklaruar ai.
Gjatë kësaj konference, Tahiri ka folur edhe për kryeqytetin, respektivisht drejtuesit e saj, të cilët, sipas tij, këto ditë, ka dështuar në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, pasi që nuk kanë pastruar rrugët dhe trotuaret.
“Nuk i ka hije që një kryeqyteti të shteti sovran të lejohet që rrugët që shpien drejt institucioneve vitale, rrugët që shpien drejt ambasadave të jenë të bllokuara për arsye se kjo paraqet një opinion të zymtë dhe paraqet një situatë jashtëzakonisht të diskurajuese për vendin. Akulli i shumtë, bora e shumtë tregon se në një formë apo tjetër rrugët kanë qenë të bllokuara gjatë javës. Nuk dua të flas për rrugët periferike se këto nuk donë koment”, ka theksuar Tahiri.
AAK ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe në veçanti nga kryetari, Isa Mustafa që të përkrah shtimin e kujdesit për qytetarët e Prishtinës. /kosovapress/