AAK qon Pacollin në kushtetuese

Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli brenda javës do t’i shkojë edhe lënda e dytë në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo, për faktin se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar të përgatisë lëndën, sipas së cilës pretendohet se Pacolli shkeli kushtetutën pak minuta pasi u zgjodh president, kur votoi për qeverinë “Thaçi 2”.
Zyrtar të AAK, i kanë thënë “Zërit” se brenda javës që vjen pritet ta përfundojnë këtë çështje, dhe ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkohet interpretim për veprimin e Pacollit.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se është iniciativa që të dërgohet lënda në Kushtetuese. “Lëndën janë duke e përgatitur ekspertët e AAK-së dhe se nisma ekziston që kjo lëndë të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Isufi, sipas të cilit, nëse kjo përkrahet nga partitë opozitare, një gjë e tillë do të përfundojë së shpejti.
“Ne do të konsultohemi edhe me partitë e tjera opozitare dhe nëse ata do të na mbështesin besoj që lënda do të përfundojë brenda javës në Kushtetuese”, ka thënë Isufi.
Ndryshe, AAK ka vetëm 11 deputetë, dhe për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duhet që të mblidhen firmat e së paku 30 deputetëve. Për këtë arsye AAK nuk mundet e vetme që ta bëjë këtë, sepse duhet mbështetja edhe e partive të tjera opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes. (zëri)