Kërkon reformë në Ligjin zgjedhor

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas një takimi që ka zhvilluar të hënën me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka paralajmëruar ndryshmin e Ligjit për zgjedhjet.
Presidenti Pacolli tha se ishte një takim ku me kryetaren e KQZ-së, Daka, ka biseduar për reformimin e ligjit zgjedhor.
“Ju e dini se kemi pas një eksperiencë jo të mirë në zgjedhjet e fundit, prandaj e pash si të arsyeshme që të fillohet ndërrimi i Kushtetutës, e sidomos ajo pikë në Kushtetutë, e cila e përcakton Kosovën si një zonë zgjedhore”, tha Pacolli.
Ai tha se qëllimi i Zyrës së presidentit është që sa më shpejtë të organizojë një tryezë me përfaqësuesit e partive politike, atyre parlamentare dhe joparlamentare dhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të fillohet reforma e Ligjit zgjedhor.
“Në bazë të këtyre ideve, ne do të formojmë një komision, i cili do të punojë drejtë për së drejti në formulimin e një propozimi, i cili në të ardhmen me miratimin e spektrit politik dhe shoqërisë civile do të jetë edhe Ligji zgjedhor i ardhshëm”, tha Pacolli.
Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka theksoi se me presidentin kanë biseduar për reformat zgjedhore dhe pret ndihmë nga zyra e presidentit.
“Kemi pasur një takim për reformën zgjedhore, sidomos për rolin e KQZ-së në reformën zgjedhore, e cila pritet të bëhet me ndihmën e presidentit dhe të zyrës së presidentit. Ne e falënderojmë zotin president lidhur me grupin punues, ne shpresojmë se shumë shpejt ky grup punues do të fillojë punën”, tha Daka.
Ndryshe, gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë, janë shënuar shumë parregullsi, ndërsa është kërkuar që të ndryshohet Ligji zgjedhor, në mënyrë që Ligji për zgjedhjet të mundësojë mbajtjen zgjedhjeve më efikase. (Kosovaopress)