Josipovic ka shkelur kushtetutën?

“Nëse kryeministrja Jadranka Kosor apo kushdo tjetër janë të mendimit se kam shkelur kushtetutën, atëherë posedojnë procedurat e qarta për të ngritur çështjen e shkarkimit tim”, ka deklaruar presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic, duke reaguar ndaj deklaratave të Kosorit se ka shkelur kompetencat kushtetuese, ngase ka kërkuar konsultime me partitë politike.
Institucioni i presidentit është funksion shtetëror, ligjor dhe politik dhe kushtetuta e thotë qartë se presidenti duhet të përkujdeset për funksionim të bashkërenduar dhe stabilitetin e pushtetit, theksoi Josipovic.
Ai shtoi se ka vlerësuar se stabiliteti i Kroacisë është sfiduar, për shkak të krizës serioze ekonomike, për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve dhe rënies së përkrahjes për institucionet shtetërore, në veçanti për qeverinë.