E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çka sjell epilogu i dialogut?

Analistët në Kosovë vërejnë kundërthënie në deklaratën e kryeministrit Thaçi se në fund të dialogut me Serbinë do të ketë njohje reciproke. Kjo, për arsye se gjatë gjithë kohës flitet për dialog teknik dhe jo politik. Por, çfarë në fakt mund të sjellë epilogu i dialogut, apo kur do të vijë ky epilog? Nga Express më 14 mars 2011 në ora 13:06

Epilogu i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, do të jetë njohja reciprooke. Kjo deklaratë e bërë një ditë më parë, sipas analistëve kosovarë, bie në kundërshtim me të gjitha deklaratat zyrtare, se dialogu është teknik dhe nuk do të prekë statusin.

Drejtori i Institutit KIPRED, Krenar Gashi, thotë se është gjë e ditur, që çfarëdo që flitet me Serbinë, merr konotacion politik.

“Deklaratat e fundit të kryeministrit Hashim Thaçi, bien në kundërshtim me gjithë deklaratat e mëparshme të të gjithë zyrtarëve të Kosovës, kur është fjala për bisedimet me Serbinë, sepse përzihen çështjet teknike dhe politike. Mirëpo, pavarësisht kësaj kundërthënieje me Serbinë, është ditur dhe dihet se ne do të bëjmë një dialog politik, sepse natyra e problemeve mund të jetë teknike, por baza e problemeve, që ne i kemi me Serbinë, është bazë politike dhe duhet të merren vendime politike për t’u zgjidhur disa çështje që ne i kemi për t’i zgjidhur me Serbinë”, thotë Gashi.

Kundërthëniet në deklaratat e zyrtarëve kosovarë, sipas Ardian Arifajt nga Klubi për Politikë të Jashtme, tregojnë se pala kosovare nuk ka hyrë në bisedime me ide të qarta dhe konkrete.

“Kjo tregon se bisedimet me Serbinë nuk mund të jenë teknike, por janë politike dhe synimet e të dyja palëve janë përfitimet politike dhe jo ato teknike. Ajo që do të ishte më brengosëse për ne, është se kjo tregon se zyrtarët e Prishtinës nuk kanë një ide të qartë, nuk kanë hyrë me një ide të qartë në çfarë bisedimesh po hyjnë, në çfarë qëllimesh dhe me një agjendë të qartë se ku do të shkohet me këto. Prandaj dhe kemi këso deklarata të ndryshme nga zyrtarë të ndryshëm për atë se pse po bisedohet dhe ku do të mbërrijmë me këto bisedime”, shprehet Arifaj.

Kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri ka thënë se Prishtina dëshiron që në afat optimal të përfundojnë bisedimet me Beogradin. Por, nuk është saktësuar sa mund të zgjasë afati optimal.

Krenar Gashi shprehet skeptik se dialogu do të mbarojë shpejt.

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit se Serbia do ta njohë Kosovën në fund të këtij dialogu, kjo edhe mund të quhet e vërtetë nëse flasim për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë si një gjë e përjetshme, sepse ky dialog do të vazhdojë me vite të tëra dhe eventualisht ne e dimë se Serbia do të duhej ta njohë Kosovën. A do të ndodhë kjo brenda 5 vjetëve, apo 50 vjetëve, këtë nuk e thotë as kryeministri Thaçi e askush tjetër, sepse nuk dihet”, thekson Gashi.

Takimi i parë me Serbinë që nga pavarësia e Kosovës u mbajt më 8 dhe 9 mars në Bruksel. Për katër çështjet e para teknike që u diskutuan, regjistri civil, kthimi i dokumenteve kadastrale, vulat doganore dhe CEFTA, nuk u arrit përafrim qëndrimesh mes palëve.

Sipas shefes së ekipit kosovar, Edita Tahiri, takimet pritet të mbahen çdo dy javë, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe me pjesëmarrjen e SHBA-së. (REL)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›