AAK sulmon Pacollin: Duhet të jetë në burg, jo në delegacionet kosovare

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli e ka vendin në burg dhe jo në delegacionin e institucioneve të Kosovës, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët e partise, lider i së cilës është Ramush Haradinaj nuk presin rezultate pozitive nga qeveritarët e Kosovës që kanë udhëtuar për në New York, përderisa, në delegacion shtetëror ka njerëz si Pacolli.
Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma ka thënë se Behxhet Pacolli do të duhej të ishte në burg bashkë me të gjithë bandën e tij dhe jo në delegacionin e Kosovës në SHBA. Ndërkaq dhe pse ka kaluar një javë nga shpërthimi i skandalit me hotelin “Grand” , qeveria Kosovës vashdon të heshtë lidhur me akuzat për përfshirjen e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behxhet Pacolli. Qeveria e Kosovës nuk është distancuar nga veprimet e Pacollit, i cili është i përfshirë në aferën e privatizimit të hotelit Grand.
Zëvendëskryeministri i Parë kishte thënë se ish-zyrtari i kësaj Qeverie, Astrit Haraçija i kishte kërkuar miliona euro në këmbim të rregullimit të pronësisë së hotelit Grand. Më vonë rezultoi se Pacolli kishte shkelur ligjin, pasi nuk e kishte denoncuar me kohë Haraçinë për kërkim të ryshfetit. Gjithsesi, hetimet po zhvillohen.