Vetëqeverisje për veriun e Kosovës, një nga mënyrat për të pasur siguri

Një vetëqeverisje lokale dhe administrim të sigurisë e të sundimit të ligjit nga KFOR-i dhe EULEX-i po vlerësohet nga faktori ndërkombëtar si një zgjidhje disavjeçare për veriun e Kosovës. Qytetarëve të pjesës më problematike të Kosovës do t`u ofrohet edhe një paketë e leverdishme ekonomike në mënyrë që pas përfundimit të fazës së përkohshme të integrohen në jetën institucionale të shtetit të ri, pa ua mohuar vetëqeverisjen lokale të garantuar me Planin e Ahtisaarit, emri i të cilit nuk do të përmendet.
Mediat kosovare raportojnë se ekipi i që po përgatit bazën e dialogut Kosovë-Serbi, kanë shpjeguar se roli shtesë i KFOR-it dhe i EULEX-it në atë pjesë të vendit nuk është i tejkalueshëm për shkak të mungesës së sundimit të ligjit për një kohë të gjatë dhe refuzimit të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës.
Diplomatët aktualisht po qarkullojnë dy plane, njëri i përgatitur nga Zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherinë Ashton, që përcakton dialogun, mënyrën se si do të rregullohet çështja e veriut dhe përfaqësimi i serbëve të asaj pjese në institucionet e Kosovës dhe një plan tjetër prej shtatë pikash, që diplomacia gjermane i ka prezantuar si kushte për Serbinë nëse dëshiron datën e dialogut për anëtarësim në BE.
Ndërkaq Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se Brukseli nuk mund ta detyrojë Serbinë që të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se ndarjen e saj e sheh si të vetmen zgjidhje të mundshme dhe reale.