E Diel, 1 Nëntor 2026

ACR pranon sindikatat në nënshkrimin e marrëveshjes

Një nga pikat që ka mbetur ende pa u zgjidhur është ajo e heqjes së drejtorit të minierës, Nedat Zogu, i cili nuk është i pranueshëm nga minatorët

BULQIZË Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, është përpjekur dje të luajë rolin e negociatorit mes ACR-së dhe minatorëve. Pika e debatueshme e konfliktit mes tyre është ajo e largimit ose jo të drejtorit të minierës, Medat Zogu. Reagimi i kryetarit të bashkisë ka ardhur pas lajmit se pronarja e ACR-së, Depichc, ka pranuar të gjitha kërkesat ekonomike të minatorëve, por jo largimin e drejtorit të minierës.

Kompania

Në orët e paradites Taf Koleci, kryetar i sindikatave të industrisë, është vënë në dijeni nga ACR se kompania është dakord për nënshkrimin e kontratës me 12 pika, duke përjashtuar atë të shkarkimit të drejtorit Medat Zogu. Pranohet nga ACR rritja e rrogave, kryerja e investimeve, transparenca e tyre, pagesa e ditëve të protestës, thellimi i pusit deri në nivelin 21, largimi i subjekteve të palicencuara etj. Kjo ofertë e ACR-së është diskutuar nga këshilli sindikal dhe komisioni i grevës. Të pranishmit janë shprehur se nuk mund të pranojnë qëndrimin në detyrë të drejtorit Medat Zogu, madje e kanë akuzuar atë si shkaktarin e kësaj gjendje të rëndë të krijuar në minierën e kromit Bulqizë. Ky qëndrim i minatorëve ka sjellë një tjetër zhvillim në qytetin e minatorëve.

Negociatori

Kryetari i bashkisë, Roland Keta, ka kërkuar që 5 nga 700 minatorët në protestë të takohen me të në zyrat e bashkisë. Takimi është mbajtur pa praninë e mediave. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se Keta fillimisht është shprehur se greva ka marrë ngjyrime politike dhe se bashkia ka qenë pranë minatorëve në çdo kohë. “ACR u ka plotësuar të gjitha kërkesat, prandaj ju duhet të ktheheni në vendet e punës. Mos u mashtroni nga krerë të sindikatës që kërkojnë të përfitojnë politikisht nga protestat dhe grevat”, ka deklaruar Keta për minatorët e ulur në bisedime. Pas takimit kryebashkiaku pohoi se minatorët kanë pranuar të rifillojnë punën. Ai la të kuptohet se minatorët do të pranojnë qëndrimin në detyrë të drejtorit të minierës, Medat Zogu. Këtë pohim të Ketës e pranuan dhe minatorë të pranishëm në takim. “Ne mund të nisim punën dhe me praninë e Medat Zogut. Pastaj do të diskutojmë në lidhje me këtë pikë të marrëveshjes” - thanë “negociatorët” e minatorëve. Mirëpo kjo paqe ka zgjatur vetëm pak minuta. Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve, Dilaver Përkoxha, deklaroi se mbi 90 për qind të minatorëve janë për largimin sa më parë të drejtorit të ndërmarrjes. Sipas tij, puna në minierë nuk do të fillojë pa largimin e Medat Zogut. “Mund të tolerojmë ndonjë pikë tjetër të projekt-marrëveshjes, por jo atë të qëndrimin në detyrë të drejtorit të minierës. Boll ka luajtur ai me ndjenjat e minatorëve dhe popullit të Bulqizës” - tha Përkoxha për gazetën “Mapo”. PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›