Vunë tritol te Fabrika, shoqërohen 10 të dyshuar
Banorët nuk lejojnë policinë që të bëjë kontrolle në banesat e tyre. Edhe në rastet e mëparshme nuk ka pasur të arrestuar
Krujë Policia e Krujës shoqëron dhjetë të dyshuar për vendosjen e eksplozivit mbi shinat e hekurudhës që lidh fabrikën e çimentos së Fushë-Krujës me Vorën. Ndërkohë që punonjësit e policisë kanë shpëtuar për mrekulli nga lëndimi në momentin që ka ndodhur shpërthimi i dytë. Policia ka nisur kontrollet në të gjithë fshatin Zallë të Krujës, gjatë gjithë natës, por pa mundur dot të zbulojë autorët e krimit. Atentati me tritol edhe dje ka patur si objektiv fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Dy shpërthime të fuqishme u regjistruan rreth mesnatës në afërsi të kësaj fabrike, i pari në një distancë rreth 100 metra nga muri rrethues i fabrikës dhe i dyti në një distancë rreth 200 metra, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar. Ndërkohë që janë këputur shinat e trenit në pjesën veriore të shinave si dhe janë prishur traversat që mbanin shinat. Pas shpërthimit të parë që ka ndodhur rreth orës 23.00 forca të shumta policore kanë mbërritën në vendngjarje dhe nisën kontrollet në banesat e fshatit Zall. Në momentin që policia ka lokalizuar vendin e shpërthimit, një tjetër shpërthim ka ndodhur vetëm 100 metra larg tyre, por që fatmirësisht policia ka shpëtuar për mrekulli nga lëndimi nga eksplozivi. Uniformat blu kanë kryer edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes, ndërsa kanë dalë në konkluzionin se sasia e eksplozivit të vendosur në të dy rastet në shinat ka qenë rreth 20 gram dhe është e llojit tritol. Policia dyshon se autorët e vënies së tritolit janë nga fshati Zallë i Fushë-Krujës. Ndërkohë që gjatë operacionit të saj policia ka hasur në rezistencën e banorëve të fshatit Zall, disa prej të cilëve kanë kundërshtuar kontrollet, pa lejen e prokurorisë dhe gjykatës, ndërsa banorët kanë insistuar që kontrollet të bëheshin gjatë ditës. Sulmet me tritol ndaj fabrikës së çimentos, apo ndaj rrugëve lidhëse të saj, që synojnë sabotimin e punës në këtë fabrikë kanë qenë të shpeshta. Dyshohet se sulmet ndërmerren nga banorë të fshatit Zall në shenjë kërcënimi ndaj kompanisë që shfrytëzon fabrikën, pas ndërprerjes së pagesave që kjo kompani u bënte familjeve aty pranë si dëmshpërblim për ndotjen e shkaktuar. Disa javë më parë, gjatë një kontrolli në fshatin Zall, policia sekuestroi sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese të llojit tritol.