Largimet nga puna, përplasje në zyrat e Bashkisë së Tiranës
Largimet nga puna në Bashkinë e Tiranës kanë shkaktuar dje përplasje mes dy punonjëseve të Tatim-Taksave dhe Policisë Bashkiake. Ditën e djeshme, në zyrat e Drejtorisë së Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës është shënuar një incident, ku dy inspektore të Tatim-Taksave, të lajmëruara për largim nga detyra, Anila Çobani dhe Etleva Duro, pretendojnë se janë konfrontuar deri fizikisht, sipas tyre, me drejtorin e Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Ish-punonjëset e Tatim-Taksave, Çobani dhe Dura akuzojnë kryepolicin bashkiak se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, duke kërkuar t’i nxjerrë jashtë nga zyra. Për këtë arsye, dy inspektoret kanë ngritur padi ndaj drejtorit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, për ushtrim dhune fizike ndaj tyre. Por, ato do të përballen me të njëjtën akuzë në Prokurori, pasi edhe Policia Bashkiake konfirmon se ka kallëzuar penalisht dy ish-punonjëset, Dura dhe Çobani, për dhunë fizike dhe verbale. Sipas një njoftimi të Policisë Bashkiake, bëhet e ditur se drejtori i saj, Florenc Hoxha ka dorëzuar dje një kallëzim penal ndaj dy inspektoreve të Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, Anila Çobani dhe Etleva Duro, për sulm verbal dhe fizik.
Reagimi i punonjëseve
Pas konfliktit brenda zyrave, inspektoret, të cilat bëjnë pjesë në listën e 51 punonjësve që duhet të lënë detyrën, janë shprehur për mediet, se prisnin vendimin e largimit për të ikur nga puna, kur u është kërkuar të dalin më shpejt. Sipas dy inspektoreve, gjithçka është e qëllimshme për shkak të angazhimit të tyre gjatë procesit zgjedhor, si përfaqësuese të Partisë Socialiste. “Isha në zyrë duke punuar, duke bërë detyrën time funksionale, duke përgatitur materialet. Hyn befas Florenc Hoxha, drejtor i Policisë Bashkiake, që nuk është në të njëjtën drejtori me ne, tërheq tavolinën dhe më nxjerr me dhunë nga krahët. Unë i thashë se nuk mund të dal nga zyra për aq kohë sa punoj këtu. Por, Hoxha më tha se duhet të dilja nga institucioni, sepse isha e padëshiruar, ndërsa më gjuajti me grusht në stomak”, - ka denoncuar inspektorja Anila Çobani. Ndërkaq, edhe inspektorja tjetër, Etleva Duro ka treguar të njëjtën situatë, ndërsa tha se edhe ajo vetë, ishte pre e dhunës së ushtruar në ambientet e Drejtorisë së Tatim-Taksave. Sipas saj, Florenc Hoxha e ka goditur Anila Çobanin me grusht në stomak. Më pas e ka tërhequr zvarrë atë, duke i lënë shenja në krahë. Skena e incidentit ka shkaktuar tension në zyra dhe pezullim të shërbimeve për qytetarët. Drejtoria ka urdhëruar mbylljen e dyerve, duke pezulluar të gjitha veprimet, ndërsa vetë drejtori i Tatim-Taksave, Arben Kau ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, duke u shprehur se inspektoret do të qëndrojnë në detyrë deri në mbërritjen e vendimit zyrtar.
Policia Bashkiake
Policia Bashkiake e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp, pretendon të kundërtën e situatës së treguar nga ish-punonjëset, duke thënë se dhunuesit kanë qenë pikërisht dy inspektoret e pushuara pak ditë më parë. Sipas një njoftimi të Policisë Bashkiake, bëhet e ditur se drejtori i saj, Florenc Hoxha ka dorëzuar dje një kallëzim penal ndaj dy inspektoreve të Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, të lajmëruara për largim nga detyra, Anila Çobani dhe Etleva Duro. Në njoftim thuhet se Policia Bashkiake i kallëzon dy punonjëset për sulm verbal dhe fizik, për kundërshtim në krye të detyrës, si dhe për kërcënim. “Çobani dhe Duro prej ditësh dhunojnë institucionin e Drejtorisë së Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, duke mos lejuar funksionimin normal të kësaj zyre. Çobani dhe Duro, prej ditësh, fyejnë dhe kërcënojnë brenda zyrave të Tatim-Taksave, duke e bërë punën të pamundur. Në këtë situatë, drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake, për të larguar nga ambientet e punës dy punonjëset e lajmëruara për largim nga detyra. Ambientet e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës menaxhohen nga ana e sigurisë nga Policia Bashkiake. Policia Bashkiake duke kryer sot detyrën, u përball me një sulm të ashpër të Çobanit dhe Duros, të cilat ushtruan edhe dhunë. Pas kësaj, Policia Bashkiake bëri kallëzim penal ndaj tyre”, - shkruhet në njoftimin e Policisë Bashkiake. Anila Çobani dhe Etleva Dura janë dy prej 51 punonjësve që u pushuan nga puna para pak ditësh në Bashkinë e Tiranës, me motivacionin e performancës së ulët në punë.