E Shtunë, 31 Tetor 2026

“ACR”: Minatorët t`i kthehen normalitetit

Kompania “ACR”, i ka bërë sot një tjetër thirrje minatorëve të Bulqizës për rikthimin e normalitetit. Sipas kësaj kompanie, janë plotësuar të gjitha kërkesat e parashtruara nga minatorët, ndaj dhe ata duhet të fillojnë punën.

“ACR rikujton se i ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve që kanë të bëjnë me rritjen e pagës, fillimin e investimeve që do të përmirësojnë kushtet e punës si edhe realizimin e këtyre investimeve duke informuar minatorët. ACR ka ofruar zgjidhje financiare edhe për ditët e grevës së paligjshme për t`ju ardhur në ndihmë minatorëve në situatën e vështirë financiare në të cilën ndodhen. Rifillimi i punës në minierë mbahet peng e një kërkese absurde për shkarkimin e administratorit”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj kompanie.
 

Sipas “ACR”, kjo kërkesë është jashtë kompetencave të punës së minatorëve dhe kompania e ka përsëritur disa herë që nuk do konsiderohet. “Duke i njoftuar edhe njëherë minatorët me vendimet e ACR, shpresohet që të mos mashtrohen e të presin realizimin e ëndrrave të disa personave duke abuzuar e përdorur minatorët e ACR”, përfundon deklarata “ACR”.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›