ACR afron zgjidhje për 11 pika të marrëveshjes, për drejtorin jo
Sot do të vendoset nëse 10 minatorë do të rinisin grevën e urisë. Ata kanë vendosur që mos të pranojnë drejtorin aktual të minierës
BULQIZË Kompania Albanian Krom afron zgjidhje për 11 pika të marrëveshjes me minatorët e Bulqizës, por nuk bie dakord për largimin e administratorit të minierës, Medat Zogu. Lajmi u bë i ditur dje pasdite nga presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj. Ai pohoi se pronarja e Decometal, Depichc, i ka dërguar një letër presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, ku pranon zgjidhjen e 11 pikave të marrëveshjes, por nuk pranon largimin e drejtorit të ndërmarrjes-nënvizoi Nikollaj. Depichc pas dy muajsh protesta pranon që kontrata të nënshkruhet nga kreu i sindikatës së industrisë, Taf Koleci. Kreu i Konfederatës tha se përgjigjja e dhënë nga pronarja e ACR-së është pozitive dhe ajo që ndan minatorët me këtë kompani është largimi nga detyra i administratorit Zogu. “Pronarja e ACR-së na propozoi se do të nënshkruajë kontratën, e cila thotë se nuk pranon largimin e administratës. Ajo pranon se do rrisë rrogën për minatorët, pranon të investojë në minierë. Ne kemi për detyrë t’ua propozojmë minatorëve këtë ofertë të re, janë ata që vendosin”, tha Nikollaj. Ai shtoi se administrata e ACR nuk mund të pranohet nga minatorët, pasi është akuzuar për korrupsion dhe tallje të gjatë me 700 minatorët e qytetit të Bulqizës. I pyetur për pagesën e minatorëve për dy muajt e gjysmë të protestës, Nikollaj nënvizoi se kompania ka pranuar të paguajë njërin muaj, ndërkohë do të negociohet për muajin tjetër. Me minatorët janë bashkuar në protestë edhe fëmijët e tyre, të cilët nuk kanë blerë ende librat e shkollës, pasi prindërit e tyre nuk kanë firmosur në bordero. Në lidhje me këtë çështje Nikollaj i bëri apel kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, të mendojë për fëmijët e këtij qyteti, për sigurimin e librave, bazë materiale dhe rrobave. “Kompania ACR paguan në bashki taksa dhe për rrjedhojë bashkia duhet të mendojë për fëmijët e minatorëve që ato të shkojnë në shkollë ditën e hënë, me 12 shtator”, u shpreh Nikollaj. Sipas kryetarit të Bashkisë Bulqizë, disa nga minatorët kanë rënë dakord që të rinisë puna, pastaj vendoset për largimin ose jo të drejtorit të minierës, Medat Zogu. Sot pritet që 10 nga 700 minatorët e Bulqizës të hyjnë në grevë urie, madje kanë deklaruar se nuk dalin prej saj pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre ekonomike. PAJTIM HASA