E Diel, 1 Nëntor 2026

I arrestuari: Ngacmimi ndaj mbesave, një sajesë e nënës së tyre

Detyrim paraqitje për të dyshuarin. Sipas hetimeve të para, mendohet se denoncimi i Juliana Zëmblakut është e sajuar për shkak të marrëdhënieve që ajo ka me familjen e burrit

Korçë Lirohet xhaxhai i akuzuar si pedofil me mbesat e tij, vihet në pikëpyetje dëshmia e nënës së vajzave. Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka vendosur gjatë të dielës të lirojë nga gjendja e arrestit 34-vjeçarin Mikel Zëmblaku, i akuzuar për ngacmime seksuale me mbesat e tij 4 dhe 6 vjeçare. Ndërsa ai ka deklaruar se denoncimi ka qenë një sajesë e saj për t’u hakmarrë me pjesëtarët e familjes, për këtë arsye policia i ka kërkuar një dëshmi tjetër të gruas.

Dyshimi mbi dëshminë

Pas hetimeve të policisë, por dhe të sistemit të të dhënave nga ana e organit të akuzës të shoqëruara dhe me dëshmi të reja, ngjarja që ka krijuar gjendje shoku në qytetin e Korçës, ka gjasa të jetë e gjitha një sajesë dashakeqëse. Juliana Zëmblaku denoncoi katër ditë më parë ngacmimet seksuale ndaj vogëlusheve të saj të mitura nga xhaxhai i tyre, ndërkohë që është larguar edhe nga banesa, duke kërkuar ndihmën e policisë lokale. Madje, gruaja 26-vjeçare vetëm një ditë pas arrestimit të kunatit të vet, ka fituar urdhrin e mbrojtjes nga gjykata për shkak të dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti. Por duket se historia ka një tjetër të vërtetë dhe nga të dhënat që vijnë nga Prokuroria e Korçës ka mundësi që gruaja, e cila kishte konflikte me familjen e të shoqit, të ketë sajuar historinë për ta çuar në burg kunatin e saj. Gjithçka mbetet për t’u zbardhur e plotë pas hetimit që vazhdon, ndërkohë që gjatë të dielës ka ndryshuar masa e sigurisë për Mikel Zëmblakun, i cili është lënë i lirë, ndërsa do të paraqitet para organeve të drejtësisë sa herë ato ta kenë të nevojshme.

Gjyqi

Seanca për masën e sigurisë, e zhvilluar gjatë paradites së të dielës në Gjykatën e Korçës, është mbajtur me dyer të mbyllura për vetë tematikën delikate që duhet të shqyrtonte. Gjykata pas kërkesës së prokurorisë ka vendosur që për mungesë të provave ndaj të dyshuarit Mikel Zëmlaku, që akuzohej për “Vepra të turpshme me të mitura”, të ndryshonte masën e sigurisë. Ai ka lënë qelitë e paraburgimit, ndërsa ka pohuar se do t’i shkojë të vërtetës deri në fund, ndërsa i ka quajtur mashtrim dhe deri çmenduri historinë që, sipas tij, është krijuar nga e kunata. Gjykata vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje për të dyshuarin. Akuza e rëndë ndaj tij u ngrit pasi nëna e dy vajzave denoncoi në polici ngacmimet seksuale me dy vajzat e mitura, me inicialet S.Z. dhe G.Z., 6 dhe 4 vjeçe. Nëna bëri të ditur se abuzimi ndodhte për katër vjet radhazi, ndërsa ajo pretendoi se nuk kishte arritur të denonconte pasi i shoqi nuk e kishte lejuar. Por krejt ndryshe pohon i arrestuari që tashmë ka fituar lirinë. Sipas tij, kunata kishte probleme me familjen e bashkëshortit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një joshje ndaj kunatit, për të cilën ka dashur të hakmerret deri në këtë pikë. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›