Shkojnë në dasmë, helmohen nga ushqimi
Afro 50 persona që kanë marrë pjesë në dy dasma të ndryshme, janë shtruar për mjekim në spitalin rajonal të Vlorës
VLORË Kanë shkuar në dasmë, por gëzimi i saj nuk ka përfunduar pa shqetësime. Ngjarja ndodhi në fshatin Aliban, të Novoselës, ku dasmorët pasi i janë gëzuar bashkimit të çiftit në ceremoninë tradicionale të mbrëmjes, kanë përfunduar në spital. Një ditë më pas në spitalin rajonal të Vlorës kanë mbërritur 18 pacientë, të gjithë pjesëmarrës në dasmë. Ata kanë patur kryesisht çrregullime gastrointenstinale. Një ditë më pas janë paraqitur me të njëjtat simptoma 23 dasmorë të tjerë në spitalin rajonal të Vlorës, ndërkohë që mësohet se mes të ftuarve ka patur edhe nga rrethe të tjera, të cilët janë shtruar në spitalet respektive. Mjekë specialistë në drejtorinë e shëndetit publik Vlorë konfirmojnë situatën, ndërsa bëjnë me dije se institucioni në fjalë ka marrë analizat nga gjithë të shtruarit që janë në spitalin e Vlorës, ka njoftuar organet e drejtësisë, si dhe ka bllokuar lokalin ku u zhvillua dasma. Sipas tyre, lokali ka qenë i pajisur me leje sanitare. Të shtruar në spitalin e Vlorës pohojnë se nga shenjat bëhet fjalë për një helmim ushqimor, por nuk kanë ditur të japin konkretisht detaje të mëtejshme. Nga ana e mjekëve mendohet se shkak mund të ketë qenë mosruajtja e kushteve higjieno-sanitare në kuzhinë, ndërsa DSHP e Vlorës ende nuk ka rezultate konkrete, të cilat priten të jepen pas përgjigjes së analizave. Në dasmë kanë qenë të ftuar mbi 100 vetë dhe veç të shtruarve në spital, ka patur edhe të tjerë persona që kanë shfaqur çrregullime më të lehta. Numri i të shtruarve në spital është reduktuar në 8. Ata nuk kanë patur probleme kritike për jetën, por kanë marrë ndihmën e nevojshme nga mjekët specialistë. Ky është i pari rast për këtë verë që ndodh një helmim i tillë “kolektiv”, ndërsa rasti më i fundit i ngjashëm me të në Vlorë ka qenë dy vjet më parë, po në sezon vere. E.H.